Romario është një emër që i përket historisë së futbollit modern, por rruga e tij nisi larg shkëlqimit. I vogël në shtat, megjithatë me vetëbesim të pazakontë, ai u rrit në varfëri dhe e mbajti gjithmonë në mendje sfidën për të provuar se talenti i tij ishte më i madh se çdo paragjykim. Në favelën Jacarezinho të Rio de Janeiro-s, Romario jetonte në një familje me vështirësi ekonomike, ku mezi përballoheshin edhe shpenzimet për ilaçet e tij të astmës. Megjithatë, pikërisht aty nisi të formohej lidhja e tij me topin.
Futbolli u kthye shpejt në pjesë të përditshmërisë së Romarios. Në fëmijëri ai luante me topin edhe gjatë netëve kur nuk mund të flinte për shkak të problemeve me frymëmarrjen. Ajo që bie në sy në historinë e tij të hershme është mënyra si ai e përballonte jetën: me një siguri të brendshme që nuk e lëkundnin as kushtet e vështira, as presionet. Vetë rrëfimi i tij e tregon qartë se shumë herët ai sfidoi trajnerë dhe legjenda, duke insistuar se mund të luante më mirë se emrat që i shihnin si të padiskutueshëm.
Në vitin 1985, kur ishte vetëm 19 vjeç dhe ende luante si rezervë te Vasco da Gama, Romario i doli hapur trajnerit Antonio Lopes. Sipas rrëfimit, ai i kërkoi trajnerit ta linte në stol legjendën Roberto Dinamite dhe i tha troç: “Unë luaj më mirë se ai”. Lopes nuk e mori seriozisht në atë moment, por vetëm pak muaj më vonë Romario mori shansin të luante si qendërsulmues. Aty nisi të shfaqej realisht ajo që premtonte vetëbesimi i tij: në atë ndeshje ai shënoi dy gola dhe filloi të tregonte se nuk ishte thjesht arrogancë, por efikasitet i vërtetë në fushë.
Roberto Dinamite, më vonë, do të thoshte se kur luaje me Romarion mjaftonte t’i pasoje topin, pasi ai do të shënonte pothuajse çdo dy raste nga tri. Kjo lloj rendimenti, e kombinuar me instinktin për të qenë gjithmonë aty ku duhet, e bëri Romarion të dallueshëm edhe mes lojtarëve me reputacion. Kështu ai nisi të tërheqë vëmendje gjithnjë e më të madhe, derisa karriera e tij mori drejtimin e duhur për të dalë edhe jashtë kufijve të kampionatit vendas.
Romario e ktheu vetëbesimin në gola, nga Favelat te maja e botës
Në vitin 1988, ai shpërtheu edhe në skenën ndërkombëtare. Me Brazilin në Lojërat Olimpike të Seulit, Romario u bë golashënuesi më i mirë i turneut me shtatë gola. Performancat e tij i vendosën në shënjestër klube të mëdha evropiane, ku Barcelona dhe Real Madridi shfaqën interes. Megjithatë, Romario zgjodhi PSV Eindhoven, duke kaluar në futbollin holandez. Atje ai u transformua menjëherë në një makinë golash: në sezonin e parë shënoi 25 gola në 33 ndeshje, duke ndihmuar PSV-në të fitonte kampionatin dhe kupën.
Pavarësisht suksesit në fushë, jeta jashtë saj mbetej po aq e veçantë. Romario nuk e pëlqente klimën e ftohtë holandeze dhe shpesh nuk paraqitej si duhej në stërvitje. Ka pasur raste kur, sipas rrëfimit, ai udhëtonte drejt Brazilit për të luajtur futboll në plazh. Po ashtu, ishte i apasionuar pas jetës së natës. Sir Bobby Robson, i cili e drejtoi te PSV, tregonte se në disa ditë Romario dukej fenomenal në stërvitje, ndërsa në të tjera ishte e qartë se energjinë e kishte lënë diku tjetër. Megjithatë, asgjë nuk e ndalonte talentin e tij dhe asgjë nuk e zbehte prodhimin e golave.
Pas PSV-së, Romario u transferua te Barcelona, nën drejtimin e Johan Cruyff, dhe sezoni i tij i parë u përshkrua si spektakolar. Ai shënoi 30 gola në 33 ndeshje të La Ligës dhe fitoi Këpucën e Artë. Por momenti që mbeti më shumë në kujtesë lidhet me El Clásico, kur Barcelona shkatërroi Real Madridin 5-0. Në atë ndeshje, Romario shënoi një nga golat më të famshëm të karrierës: dribloi mbrojtësin dhe portierin përpara se ta dërgonte topin në rrjetë. Ishte demonstrim i qartë i kontrollit të topit, guximit dhe instinktit për të vendosur ndeshjen.
Viti 1994 u kthye në pikën ku Romario “pushtoi botën”. Edhe pse kishte probleme me trajnerin e Brazilit, ai u rikthye në kombëtare për ndeshjen vendimtare kualifikuese ndaj Uruguait. Romario shënoi dy gola në fitoren 2-0, duke siguruar kualifikimin e Brazilit në Kupën e Botës 1994. Në turneun në SHBA, ai ishte vendimtar në rrugëtimin drejt finales: shënoi kundër Rusisë, Kamerunit dhe Holandës, ndërsa në gjysmëfinale realizoi edhe ndaj Suedisë. Në finale ndaj Italisë, ndeshja përfundoi 0-0 dhe fati u vendos me penallti. Romario shënoi penalltinë e tij, ndërsa pas gabimit të Roberto Baggios, Brazili u shpall kampion bote.
Për performancat e tij në atë edicion, Romario u zgjodh Lojtari më i mirë i turneut, duke marrë Golden Ball. Nga një djalë i rritur në varfërinë e Rio de Janeiro-s, ai u shndërrua në një prej figurave më të mëdha të futbollit botëror. Historia e tij, me ulje-ngritjet dhe me sfidat e shumta, tregon një rrugë ku kufijtë nuk u pranuan lehtë: ai ishte i shkurtër në shtat, shpesh i vështirë për t’u menaxhuar dhe, sipas asaj që flitet, jashtë fushës mund të dukej arrogant, por në fushë kishte një përgjigje për gjithçka—golat.
Botuar fillimisht në Telegrafi



