Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka refuzuar me ashpërsi përgjigjen e Iranit ndaj një propozimi amerikan për paqe. Në një reagim publik, ai e cilësoi atë “plotësisht të papranueshme”, duke i dhënë sinjalet se Teherani nuk ka pranuar kushtet e kërkuara.
Trump e bëri këtë koment në një postim të tij më 10 maj në platformën Truth Social. Ai shkroi: “Sapo lexova përgjigjen nga të ashtuquajturit ‘përfaqësues’ të Iranit. Nuk më pëlqen – PLOTËSISHT E PAPRANUESHME!”. Në reagimin e tij, presidenti amerikan nuk dha detaje nëse refuzimi i tij do të çojë në rifillimin e sulmeve ajrore ndaj Iranit.
Ndërkohë, mediat iraniane raportuan se Irani nuk ka zbutur kërkesat e tij në kuadër të këtij propozimi. Në raportime u përmendën disa pika kryesore që Teherani kërkon: heqjen e sanksioneve, përfundimin e bllokadës detare nga SHBA-ja dhe garanci për sulme të ardhshme. Sipas këtyre të dhënave, Teherani e konsideron propozimin amerikan të pamjaftueshëm për t’i dhënë fund tensioneve.
Në raportimin e Agjencisë së lajmeve Tasnim, e cila konsiderohet e afërt me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), thuhet se propozimi i Teheranit përfshin gjithashtu përfundimin e luftimeve në “të gjitha frontet” – përfshirë edhe Libanin. Në të njëjtin kuadër, Irani kërkon që SHBA-ja të japë kompensim për dëmet e luftës dhe të njohë zyrtarisht kontrollin e Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit.
Raportimet theksojnë se kërkesat e Iranit për kompensime dhe njohje zyrtare të kontrollit mbi Ngushticën e Hormuzit kundërshtohen nga komuniteti ndërkombëtar. Gjithashtu, po sipas mediave iraniane, pranimi i kushteve të SHBA-së do të nënkuptonte “dorëzim” i Iranit ndaj “kërkesave të tepruara”, duke sugjeruar se Teherani nuk është i gatshëm të pranojë një marrëveshje që e shikon si të njëanshme.
SHBA-ja e shikon marrëveshjen me kushte të papranueshme
Sipas shumë raportimeve, plani amerikan është paraqitur në një dokument njëfaqësh. Në atë dokument, thuhet se parashikohet ndalimi i luftimeve dhe hapja e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa çështje të tjera të rëndësishme – përfshirë të drejtën e Iranit për pasurimin e uraniumit – janë lënë për më vonë. Ky element duket se është pjesë e debatit, pasi Teherani kërkon garanci dhe masa që lidhen me kontrollin e çështjeve energjetike dhe të sigurisë.
Trump, në reagime të mëparshme, ka kritikuar ashpër politikat e paraardhësve të tij ndaj Iranit. Ai ka pretenduar se për 47 vjet ky vend “na ka mbajtur në pritje”, ka vrarë njerëz amerikanë me bomba në rrugë, ka shtypur protestat dhe, sipas tij, së voni ka vrarë 42.000 protestues të pafajshëm e të paarmatosur. Në postimet e tij në Truth Social, ai ka thënë gjithashtu: “Ata nuk do të qeshin më!”, duke e lidhur mesazhin me qëndrimin e ri të SHBA-së.
Presidenti ka mbajtur një qëndrim të dyfishtë në deklaratat publike: nga njëra anë ka theksuar mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike, ndërsa nga ana tjetër ka kërcënuar me sulme të reja ajrore ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit. Në një intervistë me gazetaren amerikane, Sharyl Attkisson, të transmetuar më 10 maj, Trump u shpreh se operacionet ushtarake kundër Iranit mund të mos kenë përfunduar. Ai la të kuptohet se SHBA-ja mund të godasë edhe objektiva të tjera nëse do të konsiderohet e nevojshme.
I pyetur nëse operacionet luftarake kanë mbaruar, Trump u përgjigj: “Jo, nuk e thashë këtë. Thashë se ata janë mposhtur, por kjo nuk do të thotë se gjithçka ka përfunduar. Mund të vazhdojmë edhe për dy javë dhe të godasim çdo objektiv”. Më tej ai tha se sulmet amerikane dhe izraelite kanë goditur “ndoshta 70 për qind” të objektivave të synuara, ndërsa ka deklaruar se SHBA-ja ka ende “objektiva të tjera” për t’i goditur, ose që në çdo rast do t’u duhet kohë atyre për t’u rindërtuar.
Trump u ndal edhe te rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, duke thënë se Shtetet e Bashkuara po i monitorojnë nga afër objektet përkatëse. “Ne i kemi nën vëzhgim”, tha ai, ndërsa shtoi se SHBA-ja po përdor edhe monitorimin nga hapësira për të ndjekur aktivitetin rreth këtyre impianteve. Irani, nga ana tjetër, ka refuzuar vazhdimisht propozimet që do ta detyronin të dorëzonte rezervat e uraniumit të pasuruar te Shtetet e Bashkuara.
Refuzimi i Trump ndaj përgjigjes së Iranit dhe këmbëngulja për garanci, kompensim dhe kontroll mbi elementë kyç të sigurisë dhe energjisë, e mbajnë procesin larg një zgjidhjeje të menjëhershme. Në këtë situatë, edhe plani amerikan i përshkruar si dokument njëfaqësh vijon të jetë në qendër të mosmarrëveshjeve, ndërsa SHBA-ja sinjalizon se opsionet ushtarake nuk janë mbyllur plotësisht.
Botuar fillimisht në Bota Sot




