Në historinë moderne të Shqipërisë, pak periudha kanë prodhuar kaq shumë shpresë dhe, njëkohësisht, kaq shumë zhgënjim sa 35 vitet e pluralizmit politik. Në vitet ’90, breza të tërë hynë në një fazë të re me bindjen se rrëzimi i diktaturës do të sillte jo vetëm liri politike, por edhe drejtësi sociale, shtet ligjor, meritokraci dhe dinjitet njerëzor.
Asokohe, pritshmëria ishte se pluralizmi do të hapte rrugën e një republike ku pushteti do të qëndronte nën kontrollin e qytetarit. Ideja themelore ishte e thjeshtë: qytetari duhet të jetë ai që e udhëheq vendimmarrjen dhe jo një strukturë që e merr përsipër atë. Me këtë narrativë, shqiptarët besuan se ndryshimi do të ishte i prekshëm, si në institucione ashtu edhe në jetën e përditshme.
Por pas më shumë se tri dekadash, Shqipëria vazhdon të përballet me një pyetje të rëndë dhe të pakëndshme: a u ndërtua vërtet demokracia, apo u krijua një sistem i ri kontrolli me emra dhe flamuj të ndryshëm? Në këtë debat përfshihen sidomos dy partitë kryesore që alternuan pushtetin për më shumë se tre dekada. Edhe pse shpesh u prezantuan si kundërshtarë të papajtueshëm, mekanizmi i sundimit rezultoi pothuaj i njëjtë.
Rotacioni politik nuk solli ndryshim sistemi. Ai u shndërrua në ndërrim periodik të administratorëve të të njëjtit model pushteti. Përplasjet publike mes forcave politike mund të kenë qenë të ashpra në retorikë, por në momente kyçe historike ato gjetën gjithmonë gjuhën e përbashkët për të ruajtur strukturën nga e cila ushqeheshin të dyja. Kështu, në emër të demokracisë, gradualisht u konsolidua një oligarki politike dhe parapolitike, ku vendimmarrja reale u largua nga qytetari.
Kodi Zgjedhor si çelësi i kontrollit të pluralizmit
Në këtë rrugëtim, shteti pushoi së qeni instrument i qytetarëve dhe u kthye në pronë të dy partive kryesore që e dominuan skenën politike. Administrata u politizua deri në qelizë, ndërsa drejtësia dhe media u përdorën sipas interesit të radhës. Ekonomia u deformua përmes klientelizmit, koncesioneve selektive dhe lidhjeve mes pushtetit politik e kapitalit ekonomik. Edhe roli i mediave u zbeh në funksion të qëllimeve të radhës: në një pjesë të madhe, ato u shndërruan në zgjatime propagandistike të qeverisë ose të opozitës së radhës.
Pasojat u ndjenë te qytetari, i cili mbeti gjithmonë në fund të zinxhirit. Ai u gjet i pambrojtur dhe i papërfaqësuar realisht, ndërsa zhgënjimi ndaj politikës u rrit me kohën. Një nga tragjeditë më të mëdha të tranzicionit shqiptar nuk ishte vetëm varfëria ekonomike, por edhe deformimi psikologjik dhe moral i shoqërisë. Për vite me radhë, u kultivua bindja se politika nuk ndryshon dot, se çdo alternativë është e kotë dhe se pushteti është një mekanizëm i mbyllur ku futet vetëm ai që pranohet nga sistemi.
Kjo krijoi një shoqëri të lodhur, cinike dhe të demoralizuar. Emigracioni masiv u kthye jo vetëm në arratisje ekonomike, por edhe në akt mosbesimi ndaj shtetit dhe së ardhmes. Kur propaganda tradicionale nisi të humbte efektin, sistemi ndërtoi forma më të sofistikuara kontrolli: u krijuan figura parapolitike, “alternativa” të fabrikuara, lëvizje të kontrolluara dhe spektakle morale që synonin jo ndryshimin real, por kanalizimin dhe neutralizimin e revoltës qytetare. Në vend të hapjes së garës politike, u zgjerua iluzioni i pluralizmit, ndërsa mekanizmi i pushtetit mbeti pothuaj i pandryshuar.
Instrumenti më i sofistikuar i ruajtjes së këtij pushteti gjatë 35 viteve ka qenë vetë Kodi Zgjedhor. Në teori, ai duhet të ishte garancia themelore e barazisë politike dhe e përfaqësimit demokratik. Por në praktikë, Kodi Zgjedhor u shndërrua gradualisht në një mekanizëm mbrojtës për dy partitë kryesore: një mur i pathyeshëm juridik i projektuar jo për të garantuar demokracinë, por për të kontrolluar hyrjen në të.
Sa herë sistemi ndjeu rrezik nga forca të reja politike ose nga lëvizje qytetare jashtë kontrollit tradicional, rregullat e lojës ndryshuan. Por ndryshimi nuk synoi zgjerimin e përfaqësimit; ai u përdor për ta kufizuar atë. Pragjet elektorale, formulat e shpërndarjes së mandateve, administrimi i zgjedhjeve, kontrolli mbi komisionet, financimi i partive, koalicionet parazgjedhore dhe listat e kandidatëve u trajtuan si instrumente inxhinierie politike në funksion të mbijetesës së establishmentit. Kodi Zgjedhor në Shqipëri rrallëherë është ndërtuar mbi filozofinë e përfaqësimit të drejtë, dhe në shumë raste është negociuar në mënyrë të mbyllur, si marrëveshje pushteti mes dy forcave kryesore. Pavarësisht retorikës publike, ato janë bashkuar sa herë është dashur të mbrojnë monopolin e tyre mbi sistemin.
Botuar fillimisht në Bota Sot


