Zëvendësimi i valvulës aortale përmes kateterit (TAVR) mund të ofrojë qëndrueshmëri të krahasueshme me ndërhyrjen kirurgjikale edhe pas shtatë vitesh, sidomos te pacientët me rrezik të ulët kirurgjikal. Kjo del nga studimi PARTNER 3, i cili ka ndjekur pacientë me stenozë të rëndë simptomatike të valvulës aortale, duke krahasuar dy qasje: TAVR dhe zëvendësimin kirurgjikal të valvulës aortale (SAVR).
Stenoza aortale shfaqet kur valvula aortale ngushtohet dhe pengon kalimin normal të gjakut nga zemra drejt pjesës tjetër të organizmit. Kur sëmundja bëhet e rëndë dhe shfaq simptoma, pacientët kanë nevojë për zëvendësimin e valvulës. Për shumë vite, standardi ka qenë operacioni i valvulës aortale në zemër të hapur, por TAVR shfaqet si një alternativë më pak invazive: valvula e re vendoset përmes një kateteri, zakonisht duke hyrë nga një arterie, pa hapjen klasike të kraharorit.
Fillimisht, TAVR u përdor kryesisht te pacientët me rrezik të lartë për operacion. Megjithatë, me kalimin e kohës, përdorimi i procedurës është zgjeruar edhe te ata me rrezik të ulët. Pikërisht për këtë arsye, jetëgjatësia dhe qëndrueshmëria e valvulave TAVR janë kthyer në çështje qendrore për mjekësinë dhe për vendimmarrjen klinike.
Rezultatet e PARTNER 3: TAVR dhe kirurgjia, të ngjashme pas 7 vitesh
Studimi PARTNER 3 përfshiu 1.000 pacientë në një studim të randomizuar, të gjithë me stenozë të rëndë simptomatike të valvulës aortale dhe me rrezik të ulët kirurgjikal. Nga kjo grup, 495 pacientë iu nënshtruan TAVR-it me valvulën SAPIEN 3, ndërsa 453 u trajtuan me zëvendësim kirurgjikal të valvulës. Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte rreth 74 vjeç, ndërsa pacientët u ndoqën për shtatë vjet. Gjatë periudhës së ndjekjes, funksioni i valvulave u vlerësua rregullisht, përfshirë kontrollet ekokardiografike.
Kur bëhet fjalë për rezultatet, dëmtimi strukturor i rëndësishëm i bioprotezës u regjistrua te 7,3 për qind e pacientëve në grupin TAVR dhe te 7,6 për qind në grupin e operacionit. Edhe dështimi i bioprotezës nga të gjitha shkaqet doli pothuajse njësoj: 6,9 për qind pas TAVR-it dhe 7,5 për qind pas ndërhyrjes kirurgjikale. Nevoja për një ndërhyrje tjetër në valvul u vëzhgua te 6 për qind e pacientëve që iu nënshtruan TAVR-it, krahasuar me 5,5 për qind te ata që u operuan.
Pas shtatë vitesh, 73,4 për qind e pacientëve të trajtuar me TAVR ishin gjallë dhe pa dështim të bioprotezës, ndërsa te grupi i kirurgjisë kjo shifër ishte 74,8 për qind. Megjithatë, studimi nxori në pah një ndryshim të rëndësishëm pikërisht te tromboza e valvulës, e cila u shfaq ndjeshëm më shpesh pas TAVR-it. Mosfunksionimi i valvulës i lidhur me trombozën u regjistrua te 5,2 për qind e pacientëve pas TAVR-it, kundrejt 0,9 për qind pas operacionit. Sipas të dhënave, shumica e rasteve pas TAVR-it ndodhën gjatë tri viteve të para, ndërsa shumë prej tyre u zgjidhën spontanisht ose pas trajtimit. Vetëm një numër i vogël u përparua deri në dështim të bioprotezës.
Në të njëjtën kohë, problemet e lidhura me endokarditin u raportuan si të rralla dhe gati të njëjta në të dyja grupet. Për sa i përket pyetjes “cila metodë është më e mirë”, rezultatet shtatëvjeçare janë inkurajuese për përdorimin e TAVR-it te pacientët me rrezik të ulët kirurgjikal, por studimi thekson se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht zgjedhjen e njëjtë për të gjithë. Gjatë vendimmarrjes ndikojnë faktorë si mosha, anatomia e valvulës dhe enëve të gjakut, gjendja e arterieve koronare, sëmundjet shoqëruese dhe jetëgjatësia e pritshme. Gjithashtu, studimi nënvizon rëndësinë e ndjekjes së pacientëve pas TAVR-it, sidomos për zbulimin e hershëm të trombozës së valvulës. Ndjekja dhjetëvjeçare e pacientëve të PARTNER 3 pritet të sjellë të dhëna edhe më të qarta për qëndrueshmërinë shumë afatgjatë të valvulave.
Botuar fillimisht në Telegrafi






