Eksperti i çështjeve të energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka vlerësuar se dështimet që janë shfaqur në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë nuk lidhen vetëm me projektet e mëdha të prodhimit. Sipas tij, problemi shtrihet edhe te mungesa e investimeve në infrastrukturë dhe te mungesa e koordinimit institucional midis institucioneve që kanë përgjegjësi në fusha të ndryshme të zinxhirit energjetik.
Haxhimusa tha se për vite me radhë janë penguar investimet dhe reformat që do të kishin mundur ta zhvillonin sektorin. Ai e përshkroi si një çështje sistemike situatën aktuale, duke theksuar se vendimmarrja dhe zbatimi i projekteve kanë hasur në pengesa, pavarësisht përpjekjeve për të avancuar.
“Është një strukturë mirë e organizuar mafioze e cila çdo investim, çdo lëvizje pozitive në sektorin e energjisë e ka dështuar. Ka dështuar projekti i Kosovës C, i Kosovës së Re, kemi dështuar. Hajde kështu dështua se thëngjilli pati interesa të ndryshëm, ambientalistët, etj… por kush na ndali ne që t’i zgjerojmë kapacitetet e transmisionit, të mos i shohim telat e rrymës në këtë katrahurë, kush na ndaloj ta koordinojmë sektorin e ndërtimtarë dhe të energjisë, transportit dhe energjisë… Të gjitha këto bëhen symbyllazi dhe në krejt këtë politikë është një organizim këtu i mirëfilltë”, ka thënë Haxhimusa në Interaktiv.
Eksperti lidhi drejtpërdrejt dështimet e përmendura me një qasje që, sipas tij, nuk ka lejuar të ecet përpara në aspekte të tjera po aq të rëndësishme, siç është zgjerimi i kapaciteteve të transmisionit. Ai vuri në fokus edhe domosdoshmërinë për koordinim mes sektorit të ndërtimit, energjisë dhe transportit, duke argumentuar se pa këtë sinkronizim nuk mund të përmirësohet realisht situata.
Transparenca dhe koordinimi, çelësi për të mos u përsëritur dështimet
Në vijim të diskutimit, Agon Sinanaj, redaktor në “Buletini Ekonomik”, ka ngritur një tjetër problematikë: mungesën e thellë të transparencës për sektorin e energjisë. Sinanaj këtë e ka vlerësuar si një element që ka ndikuar në mënyrën se si është menaxhuar sektori, si dhe në mënyrën si janë shoqëruar ndryshimet në raport me publikun dhe konsumatorët.
Sinanaj në “Konfront” të KTV-së tha se mungesa e transparencës është shfrytëzuar nga grupet e interesit brenda sektorit. Ai theksoi se, edhe kur tarifat e energjisë paraqiten si çështje të metodologjisë dhe teknikikaliteteve që i ka ZRRE-ja, transparenca mbetet po aq e rëndësishme. “Çështja e tarifave të energjisë përveç si çështje e teknikaliteteve e përcaktimeve që i ka metodologjia e ZRRE-së, është edhe çështje e transparencës… Kjo situatë, mungesa e transparencës është shfrytëzuar maksimalisht nga grupet e interesit brenda sektorit. Shpesh kanë pasur ndikim edhe te çmimi i tarifave apo rritja e tarifave të energjisë elektrike”, tha Sinanaj.
Sipas Haxhimusa, përveç çështjeve që ai i lidhi me pengesat në investime dhe koordinim, kritika të forta janë adresuar edhe për përgatitjen e kuadrove profesionale. Ai ngriti shqetësimin se Departamenti i Energjisë ka qenë i mbyllur për disa vite. Haxhimusa tha se Universiteti i Prishtinës, për rreth 6 vjet, nuk ka pasur Departamentin e Energjisë, duke qenë i mbyllur “komplet”, dhe pyeti se si është e mundur të mendohet për energjinë kur departamenti përkatës nuk funksiononte. “Nëse rektori nuk ka qenë aktiv, ku ka qenë ministri, drejtori i ZRRE-së. Pse si institucione nuk i shohim këto anomali që paraqiten”, shtoi ai.
Diskutimi i dy ekspertëve prek kështu disa dimensione të së njëjtës çështje: investimet dhe reformat që, sipas Haxhimusës, janë bllokuar; nevojën për koordinim ndërmjet sektorëve; mungesën e transparencës që Sinanaj e lidh me ndikim tek tarifat; si dhe çështjen e mungesës së vazhdimësisë në përgatitjen e kuadrove profesionale përmes Departamentit të Energjisë. Në këtë mënyrë, problematika e sektorit të energjisë paraqitet si një kombinim faktorësh që, sipas analizave të shprehura, kanë penguar përmirësimin e gjendjes në përgjithësi.
Botuar fillimisht në Koha.net






