Letra për lexuesit vjen me një pyetje që e shoqëron gjithë veprën: “Sikur të kishim lindur në kohë lirie?”. Në qendër të këtij rileximi artistik qëndron romani i ri i autorit Fehmi Pireva, “Karrigia e Dashurisë”, ku tematika kryesore është një kthim në kujtesën njerëzore. Përtej një narrative të thjeshtë, libri hap një dialog me njeriun përballë asaj që ai ka pasur ose i është mohuar: para vetes, para dashurisë, para lirisë dhe para atdheut.
Autori e ndërton rrëfimin nga fillimi deri në fund brenda një “karrige dashurie”, e cila shërben si hapësirë ku përplasen kujtimet, ndjenjat dhe reflektimet. Ngjarja zhvillohet në stinët e vjeshtës, udhëkryqeve dhe dimrave të ftohtë, duke e bërë kohën pjesë të brendshme të historisë. Kjo zgjedhje narrative e lidh emocionalen me atmosferën e jetës, duke i dhënë romanit një ndjesi prove, jo vetëm tregimi.
Dashuria dhe liria shihen si një e vetme
Në këtë mënyrë, “Karrigia e Dashurisë” shfaqet si një pasqyrë e dashurisë, por jo në kuptimin sentimental të izoluar. Rrëfimtari e vendos kthimin në të kaluarën drejt së tashmes dhe të nesërmes, aty ku të gjithë, sipas librit, nuk ndiheshin aspak të lirë prej një shekulli. Subjekti që zhvillohet në vitet e qëndresës së popullit shqiptar në Kosovë e formëson narracionin si një pasqyrë të pasur, ku spikat një ngjarje e pazakonshme, kontraste të forta dhe imazhe që i përkasin kohës së vështirë.
Pyetja “Ah sikur të kishim lindur në kohë lirie?” nuk paraqitet si slogan, por si impuls për të kuptuar realitetin njerëzor brenda mungesës së lirisë. Edhe pse tematika të tilla, thekson rrëfimi, janë shkruar edhe më herët, ndryshimi qëndron te përballja e botës së dashurisë me batica e zbatica brenda një realiteti që kushtëzohet dukshëm nga mungesa e lirisë. Teksti e afron lexuesin te përjetimet e personazheve përmes një gjuhe të thjeshtë, që e sjell autorin si zë udhëheqës të mendimit.
Në këtë roman, personazhet lëvizin nëpër “hije e kohë të nëmura”, çka e bën atmosferën e brendshme të rëndë dhe njëkohësisht domethënëse. Iliri dhe Vjosa, dy personazhet kryesore, dalin si figura të lidhura pazgjidhshmërisht me të kaluarën e tyre. Për rrëfimin artistik, kjo e kaluar nuk është dekor, por shtysë. Autori e vendos dashurinë te liria, duke e shpallur si një ide qendrore: dashuria ngadhënjen kur ngadhënjen liria.
Dy të rinj studentë takohen mes dilemës, shpresës dhe qëndresës, brenda një hapësire dhe kohe që e mbajnë rrëfimin të mbyllur në tension. Dashuria e tyre përmendet si një e vërtetë pothuajse e barabartë me lirinë, dinjitetin dhe madhështinë e saj. Në këtë pikë, romani e trajton individin si pjesë të një historie më të madhe, duke e lidhur përvojën personale me atë çfarë ka ndodhur në shoqëri. Përmasa e së kaluarës dhe “bota që e ndiqte e keqja” kthehen në element metaforik, e shprehur përmes idesë së “hijes”.
Gjatë rrëfimit estetik, autori ndërlidh fitoren e jetës me frymëmarrjen dhe rrahjet e zemrës. Liria, atdheu dhe dashuria paraqiten si tre elementë që shkojnë bashkë, “vetëm një” në kuptimin e përgjithshëm të mesazhit. Në fund të gjithë kësaj ndërtese, romani mbetet një dëshmi e komunikimit letrar, me qasje bashkëkohore dhe me arritje cilësore në nivelin artistik. Takimi i ndjenjës me kujtesën e bën lexuesin të shohë se çfarë do të ishin personazhet pa të shkuarën e tyre në rrëfimin e sotëm, ndërsa pyetja kryesore vazhdon të mbetet pezull: a ishim edhe një popull i nëmur?
Botuar fillimisht në Koha.net





