Një ekzekutim mafioz në Sydney ka tronditur Australinë, pasi autorët jo vetëm që kryen atentatin, por e filmuan gjithë skenën me dron dhe më pas publikuan pamjet në rrjetet sociale. Videoja u shoqërua me një mesazh provokues ku përmendej “mafia shqiptare”, ndërsa policia e ka cilësuar këtë veprim si një zhvillim shqetësues, që tregon një ndryshim të rrezikshëm në mënyrën se si veprojnë grupet kriminale.
Viktima është identifikuar si Jack Cheung, 35 vjeç. Ai u qëllua për vdekje jashtë banesës së tij në Carlingford, në veriperëndim të Sidnejt, të mërkurën në mëngjes. Autoritetet bëjnë të ditur se Cheung u vra pranë hyrjes së shtëpisë së tij në North Rocks Road, rreth orës 05:30.
Trupi i tij u zbulua vetëm 90 minuta më vonë, kur hidraulikët mbërritën për të kryer punime në banesë. Pak orë pas ngjarjes, hetuesit e Policisë së New South Wales (NSW) iu drejtuan qytetarëve me një thirrje që të dorëzonin pamje nga kamerat e sigurisë (CCTV) dhe kamerat e automjeteve (dashcam), për të ndihmuar në identifikimin e autorit.
Por përgjigjja erdhi nga vetë vrasësit. Gjatë natës, në një platformë të rrjeteve sociale u publikuan pamje ajrore të filmuara me dron, ku shihej autori duke iu afruar Jack Cheung-ut dhe më pas duke e qëlluar për vdekje jashtë shtëpisë së tij. Videoja shoqërohej me mesazhin: “Përshëndetje, kjo është mafia shqiptare; kemi pamje të ekzekutimit të zotit Cheung nga bandat sot në Carlingford.”
Publikimi i videos me dron: një precedent i rrezikshëm
Zëvendëskomisioneri i Policisë së NSW-së, Scott Cook, e vlerësoi ngjarjen si një precedent të rrezikshëm. Ai tha se është shqetësuese dhe e cilësoi incidentin si një “epokë e re në krimin e organizuar”. Po kështu, shefi i Policisë së NSW-së, Mal Lanyon, u shpreh se publikimi i videove të ekzekutimeve në rrjetet sociale mund të frymëzojë akte të ngjashme nga grupe të tjera kriminale. Megjithatë, Lanyon nënvizoi se pamjet e publikuara mund të shërbejnë edhe si prova të vlefshme për hetuesit.
Gjatë hetimeve, autoritetet kanë zbuluar se në automjetin e Cheung-ut ishte instaluar një pajisje gjurmimi GPS përpara atentatit. Ky detaj forcon dyshimet se ai ishte monitoruar për një periudhë kohe. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se autori mbërriti në vendngjarje me një SUV rreth orës 05:31 dhe u largua pas vetëm tre minutash. Ndërkohë, hetuesit vijojnë të përcaktojnë me saktësi momentin kur 35-vjeçari u qëllua.
Cheung jetonte me nënën e tij, e cila në momentin e ngjarjes ndodhej në Tajlandë. Ajo u kthye me urgjencë në Australi sapo mori lajmin për vrasjen e të birit. Në lagje, banorët kanë raportuar se dëgjuan të shtëna me armë rreth dy orë para se të zbulohej trupi. Për më tepër, sipas provave të mbledhura, ndaj viktimës janë qëlluar disa plumba. Zëvendëssuperintendenti Michael Marinello tha se, nga ajo çfarë sugjerojnë provat, bëhet fjalë për një sulm të organizuar dhe shumë të guximshëm, duke shtuar se nuk besojnë se ishte një sulm i rastësishëm. Ai u shpreh gjithashtu se e shohin këtë si një incident të izoluar dhe se nuk ka një kërcënim të vazhdueshëm për publikun.
Autoritetet po kërkojnë autorin dhe automjetin e përdorur në atentat. Hetuesit po vlerësojnë edhe lidhjet e mundshme me konflikte mes bandave: sipas 7NEWS, vëllai i viktimës është anëtar i “Coconut Cartel”, një prej grupeve kriminale më të njohura në Sidnej. Edhe pse kjo pistë nuk përjashtohet, Marinello theksoi se në këtë fazë nuk mund të konfirmohet. Policia konfirmoi gjithashtu se Cheung ishte i njohur për autoritetet; muajin e kaluar ai ishte paraqitur para gjykatës pasi ishte kapur në posedim të një arme pa leje. Në lagje, fqinjët Isabella dhe Jeanette thanë se ai ishte shumë i sjellshëm, nuk krijonte probleme dhe merrej vazhdimisht me makinën e tij, një Hyundai i cili tashmë është një element i rëndësishëm i hetimit. Sipas policisë, në banesë në momentin e atentatit ndodheshin edhe persona të tjerë dhe ata po bashkëpunojnë me hetuesit, ndërsa vijojnë marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë për të identifikuar autorin dhe motivin.
Botuar fillimisht në Bota Sot

