Thomas Tuchel reagoi pas eliminimit të Anglisë nga Kupa e Botës. Humbja 2:1 ndaj Argjentinës u mbyll si një zhgënjim i madh për trajnerin gjerman, por ai insistoi se skuadra e tij kishte dhënë një nga paraqitjet më të mira të këtij turneu. Në konferencë, Tuchel e vendosi theksin te fakti se Anglia ishte shumë pranë finales, ndërsa e cilësoi kthesën e rezultatit si pasojë të disa vendimeve dhe të një sjelljeje të ekipit që nuk funksionoi në momentet kyçe.
Trajneri gjerman e përshkroi rrugëtimin e përfunduar me një ndjesi zhgënjimi, duke theksuar se skuadra e tij “ishte shumë afër”. Sipas tij, problemi kryesor nisi pas kalimit në epërsi: Anglia u bë tepër pasive dhe këtë e shfrytëzoi Argjentina. Tuchel tha se, pas golit, ekipi i dha kundërshtarit mundësi të krijonte raste dhe të ushtronte presion të vazhdueshëm, kryesisht përmes krosimeve që krijuan rrezik në zonë.
“Rrugëtimi ynë përfundon këtu. Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer sepse ishim shumë afër. U bëmë tepër pasivë pasi shënuam dhe u lejuam atyre shumë krosime e raste”, theksoi Tuchel, duke e lidhur direkt humbjen me mënyrën si u menaxhua loja pasi Anglia mori avantazhin.
Tuchel shpjegoi edhe ndryshimet taktike që ndërmori gjatë pjesës së dytë. Ai pranoi se vendimet nuk dhanë efektin e dëshiruar, ndërsa sqaroi logjikën pas përzgjedhjeve të tij. Sipas tij, në ndeshjet e fundit ai kishte futur lojtarë ofensivë për ta ndihmuar ekipin, por këtë herë, pasi skuadra shënoi, hapësirat mes reparteve u bënë më të mëdha. Në këtë situatë, ai provoi ta ndryshonte ekuilibrin duke kaluar në një rreshtim me pesë mbrojtës, me synim që të mbylleshin më mirë ato hapësira.
Tuchel: Kjo ishte një nga ndeshjet tona më të mira
“Provova të kalojmë në një rreshtim me pesë mbrojtës për t’i mbyllur ato hapësira, por sërish lejuam shumë krosime. Donim ta shënonim golin e dytë, por mbetëm të bllokuar në një formacion 4-4-2, ku nuk arrinim as ta fitonim topin e as ta mbanim në zotërim”, deklaroi trajneri. Ai e përshkroi kështu momentin kur ekipi nuk arriti të kontrollonte zhvillimin, duke mbetur në një formacion që nuk i jepte avantazh në qarkullimin e topit dhe as në mbylljen e hapësirave për të parandaluar sulmet e kundërshtarit.
Pavarësisht eliminimit nga Botërori, Tuchel mbrojti futbollistët e tij dhe hodhi poshtë idenë e pendesës. Ai tha se e sheh analizën si pjesë të përgjegjësisë së tij, por që nuk ka asnjë keqardhje për mënyrën si u zhvillua ndeshja. Trajneri u shpreh se ekipi dha gjithçka nga vetja në fushë dhe se, sipas tij, ishte shumë pranë përmbysjes së fatit të ndeshjes në favor të Anglisë.
“E analizoj atë që ndodh në fushë dhe marr përgjegjësinë e plotë. Nuk pendohem për asgjë. Ekipi dha gjithçka nga vetja, ishim shumë, shumë afër dhe e merituam epërsinë 1:0. Kjo ishte një nga ndeshjet tona më të mira”, tha strategu gjerman. Në vijim, Tuchel i ktheu sytë nga rrugëtimi i Anglisë në këtë Botëror, duke nënvizuar se skuadra u përball me një grup të fortë, me udhëtime të gjata, ndeshje në lartësi të mëdha dhe temperatura të larta.
Ai e mbylli fjalën duke vlerësuar rezistencën dhe angazhimin e lojtarëve gjatë turneut. “Skuadra jonë u përball me shumë sfida gjatë këtij turneu. Lojtarët kapërcyen çdo pengesë që u doli përpara dhe për këtë nuk kam asgjë tjetër veçse t’i përgëzoj”, përfundoi Tuchel. Ndërkohë, sipas mediave angleze, ai pritet të vazhdojë të jetë trajner i Anglisë, pavarësisht daljes nga Kupa e Botës.
Botuar fillimisht në Koha.net




