Banorët e Bërnicës së Epërme po përballen me mungesë uji tash e disa vite, edhe pse në fshat ekziston rrjeti i ujësjellësit dhe banorët paguajnë fatura. Përkundër pagesave, në kohën më të madhe ata nuk kanë ujë të pijshëm, duke e kthyer këtë çështje në problem të vazhdueshëm për familjet që jetojnë në këtë zonë.
Sipas shqetësimeve të banorëve, furnizimi me ujë është i paqëndrueshëm dhe i vështirë për t’u planifikuar. Ata thonë se janë ankuar për mungesën e ujit, por problemi nuk është zgjidhur deri më tani. Në vend të furnizimit normal, familjet detyrohen të kërkojnë zgjidhje të improvizuara për përgatitje të ushqimit dhe përdorim të përditshëm, çështje që lidhet drejtpërdrejt me standardin e jetesës në fshat.
Një nga banorët, Bajrush Rrahmani, ka treguar se ujin nga puset nuk mund ta shfrytëzojnë për pije. Ai ka thënë se jeton në Bërnicë të Epërme prej tetë vjetësh me familje dhe se nuk ka informacion të qartë se kur vjen ujësjellësi apo kur ndërpritet. Rrahmani ka theksuar se nga bunari nuk po mund të bëjnë as zierje për pije dhe as aktivitete të tjera, prandaj thotë se shkon në Zajqevc për ujë të pijshëm, edhe për të përgatitur bukën.
Edhe Shaban Rushiti ka ngritur të njëjtin problem. Ai ka deklaruar se që nga momenti kur është vendosur në Bërnicë të Epërme ka pasur telashe me furnizim me ujë. Rushiti thotë se, edhe pse kanë hapur në disa bunarë, thatësia ndikon dhe uji “po humb”. Sipas tij, mungesa ndihet sidomos për pastrim, për pije dhe për “gjithçka”, por ai thotë se nuk po e akuzon askënd drejtpërdrejt. Megjithatë, ai thekson se që rreth tre vjet prej ardhjes së tij këtu, banorët kanë vazhduar të kenë probleme me ujin.
Rrjeti ekziston, por ndërhyrjet e paautorizuara po ndikojnë te furnizimi me ujë
Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” kanë thënë se janë në dijeni të problemit në këtë fshat. Zëdhënësja Arjeta Mjeku është shprehur se çështja në Bërnicën e Epërme lidhet me një situatë ndërmjet vetë banorëve të asaj zone. Ajo ka treguar se kompania ka dërguar ekip në terren për të verifikuar gjendjen dhe për të identifikuar shkakun e problemit.
Pas konstatimeve të ekipit, Mjeku ka thënë se dikush po manipulon me valvulat e rrjetit të ujësjellësit, duke i mbyllur dhe duke i hapur ato. Sipas zëdhënëses, sa i përket anës së kompanisë, infrastruktura dhe funksionimi i sistemit janë në rregull, ndërsa problemi po shkaktohet nga ndërhyrjet e paautorizuara në pajisjet e infrastrukturës, përkatësisht nga manipulimi me valvulat. Në këtë mënyrë, edhe pse banorët paguajnë fatura, furnizimi mbetet i cenuar nga veprime që nuk janë pjesë e operimit të rregullt të rrjetit.
Ndërkohë, kompania ka përcjellë edhe një informacion tjetër për zgjidhjen afatgjatë. Mjeku ka bërë të ditur se janë në proces të fillimit të ndërtimit të rezervuarit të ri të ujit në Bërnicën e Epërme. Sipas saj, ky rezervuar i ri do ta zgjidhë këtë problem, duke i dhënë banorëve një mundësi për furnizim më të qëndrueshëm në të ardhmen. Derisa puna për rezervuarin të finalizohet, banorët vazhdojnë të përballen me mungesën e ujit të pijshëm dhe pasigurinë se kur rrjeti do të funksionojë normal.
Botuar fillimisht në Koha.net






