Mjekët endokrinologë theksojnë se disa zakone të përditshme mund ta bëjnë më të vështirë mbajtjen e sheqerit në gjak në nivele të shëndetshme. Me kalimin e kohës, këto praktika rrisin rrezikun për prediabet dhe diabet të tipit 2, një problem që prek shumë njerëz pa e kuptuar në fillim.
Në shumë raste, diabeti dhe prediabeti zbulohen vonë, ndërsa pasojat mund të jenë të ndërlikuara. Endokrinologia Jennifer Cheng vëren se “miliona njerëz jetojnë me diabet ose prediabet pa e ditur” dhe se “shumë nga ndërlikimet e diabetit mund të parandalohen nëse sëmundja zbulohet dhe menaxhohet në kohë”. Kjo është arsyeja pse specialistët këmbëngulin te parandalimi përmes ndryshimeve të thjeshta në rutinë.
Rregulloni rutinën ditore: ja 5 zakone që duhen shmangur
Një nga faktorët më të shpeshtë është konsumimi i pijeve me shumë sheqer. Pijet e gazuara, lëngjet e ëmbla dhe kafeja apo çaji me sheqer mund të shkaktojnë rritje të menjëhershme të nivelit të glukozës në gjak. Endokrinologia Sowjanya Naha thekson se “konsumimi i rregullt i këtyre pijeve lidhet me një rrezik më të lartë për diabet të tipit 2”. Për këtë arsye, zvogëlimi i pijeve të ëmbla shihet si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e niveleve të qëndrueshme.
Po ashtu, qëndrimi ulur për shumë orë dhe mungesa e lëvizjes ndikon negativisht në mënyrën si organizmi përdor insulinën. Kur trupi nuk lëviz mjaftueshëm, bëhet më pak i ndjeshëm ndaj insulinës, duke e bërë kontrollin e sheqerit në gjak më të vështirë. Specialistët sugjerojnë që edhe një ecje e shkurtër pas vakteve mund të ndihmojë në uljen e nivelit të sheqerit në gjak.
Një tjetër zakon problematik është konsumimi i tepërt i karbohidrateve të rafinuara. Ushqime si drithërat me sheqer, ëmbëlsirat, patatinat dhe gjevrekët mund të shkaktojnë luhatje të mëdha të sheqerit në gjak. Në vend të tyre, rekomandohet të preferohen fruta, perime dhe drithëra integrale. Endokrinologu Anastasios Manessis shpjegon se “frutat e plota janë të pasura me fibra dhe lëndë ushqyese që ndihmojnë në mbajtjen e sheqerit në gjak më të qëndrueshëm”.
Gjumi i pamjaftueshëm është po aq i rëndësishëm. Kur njeriu fle më pak se sa duhet, rritet hormoni i stresit, kortizoli, i cili e bën më të vështirë kontrollin e sheqerit në gjak. Në të njëjtën kohë, mungesa e gjumit lidhet me rritjen e rezistencës ndaj insulinës. Për këtë arsye, vendosja e orareve të rregullta të gjumit dhe shmangia e netëve pa orar konsiderohen hapa që ndikojnë drejtpërdrejt te shëndeti metabolik.
Gjithashtu, anashkalimi i vakteve dhe ngrënia në orare të çrregullta mund të ndikojnë negativisht në mënyrën se si organizmi përpunon sheqerin. Mungesa e mëngjesit ose mosmbajtja e një rutine të qëndrueshme e prish rregullimin natyral të glukozës. Endokrinologët theksojnë se për organizmin është e rëndësishme të ketë një rutinë, ndërsa mëngjesi i pasur me proteina ndihmon në stabilizimin e sheqerit në gjak. Këto ndryshime, të kombinuara me kontrollin e pijeve të ëmbla, më shumë lëvizje dhe zgjedhje ushqimore më të mira, synojnë të ulin rrezikun për prediabet dhe diabet të tipit 2.
Ndërkohë, rëndësia e zbulimit të hershëm mbetet thelbësore. Duke i kushtuar vëmendje zakoneve të përditshme dhe duke bërë rregullime gradualisht, njerëzit kanë mundësi të përmirësojnë kontrollin e parametrave shëndetësorë dhe të parandalojnë përkeqësimin e mëtejshëm. Nëse ka shenja apo faktorë rreziku, konsultimi me mjekun për analiza dhe udhëzim personal është pjesë e trajtimit parandalues.
Botuar fillimisht në Koha.net
