Në “Shtëpinë e Futbollit” u prezantua sot raporti “UEFA Grow Market Research”, një analizë e realizuar nga UEFA në bashkëpunim me agjencinë Nielsen Sport. Dokumenti sjell të dhëna mbi perceptimin, zhvillimin dhe ndikimin e futbollit në Shqipëri, duke ofruar një panoramë të qartë se si e shohin qytetarët këtë sport dhe çfarë po ndryshon me kalimin e kohës.
Aktiviteti u zhvillua në prani të Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, si dhe përfaqësues të UEFA-s. Në takimin informues morën pjesë edhe partnerë institucionalë dhe përfaqësues të medias, ndërsa raporti u prezantua si një instrument i rëndësishëm për të orientuar strategjitë e ardhshme të federatës.
Një nga gjetjet kryesore të raportit është se Shqipëria renditet e para në Europë për interesin ndaj futbollit. Sipas të dhënave, 78% e të rriturve deklarojnë se janë të interesuar për këtë sport. Ky nivel është dukshëm më i lartë se mesatarja europiane, e cila është 48%, ndërkohë që shënon edhe një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2016, kur interesi ishte 65%.
78% interes: raporti UEFA nxjerr në pah fuqinë e futbollit në Shqipëri
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Presidenti Armand Duka falënderoi UEFA-n dhe Nielsen Sport për realizimin e studimit. Ai theksoi se kërkime të tilla kanë luajtur rol të rëndësishëm në orientimin e strategjive të Federatës për zhvillimin e futbollit shqiptar. Duka vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të UEFA-s, jo vetëm përmes projekteve dhe iniciativave, por edhe përmes studimeve që, sipas tij, ndihmojnë në ndërtimin më të mirë të strategjisë dhe përcaktimin e prioriteteve.
Presidenti nënvizoi se gjetjet e raportit janë “impresionuese”, duke e lidhur këtë me rritjen e interesit nga 65% në 78%, shumë mbi mesataren europiane prej 48%. Ai e cilësoi këtë si lajm pozitiv, por edhe si një obligim për Federatën, që të punojë më shumë për të përmbushur pritshmëritë e tifozëve dhe për të realizuar dëshirat e të gjithë atyre që kanë interes për futbollin. Në të njëjtën linjë, Duka theksoi se futbolli mbetet sporti më i ushtruar dhe më i luajturi në Shqipëri.
Raporti tregon se futbolli është sporti më i praktikuar: 34% e të rriturve merren me sport dhe 41% e fëmijëve angazhohen në aktivitete futbollistike. Përveç shifrave për praktikimin, raporti thekson edhe imazhin pozitiv që gëzon futbolli në vend. Rezultati mesatar i imazhit për futbollin është 7.5 nga 10, duke lënë pas sportet e tjera, si volejbolli dhe atletika.
Studimi evidenton gjithashtu rritjen e interesit për Kombëtaren shqiptare, e cila ka kaluar nga 61% në vitin 2016 në 66% aktualisht. Ndërkohë, ndërgjegjësimi për ekipet kombëtare të moshave dhe për Kombëtaren e vajzave ka shënuar rritje të konsiderueshme, çka lidhet me efektet pozitive të investimeve në zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet. Një tregues tjetër lidhet me perceptimin publik ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit: 47% e të anketuarve kanë një opinion shumë pozitiv për FSHF-në, ndërsa vlerësimi mesatar i imazhit të institucionit arrin në 7 nga 10. Ky rezultat, sipas raportit, është mbi mesataren europiane dhe mbi nivelin e federatave të tjera sportive në Shqipëri.
Arsyet kryesore që ndikojnë në këtë perceptim pozitiv janë progresi i vazhdueshëm i futbollit shqiptar, rezultatet e Kombëtares, përmirësimi i infrastrukturës sportive dhe puna transformuese e realizuar në vitet e fundit. Presidenti Duka i lidhi edhe disa nga këto ndryshime me projekte të Federatës, si “Uniforma Ime” dhe “Topi Im”, si dhe me përmirësimet në infrastrukturë. Në përfundim, raporti “UEFA Grow Market Research” pritet të shërbejë si një instrument për përcaktimin e prioriteteve dhe strategjive të ardhshme, me synimin për ta forcuar më tej futbollin si sporti më i dashur dhe më i ndjekur në Shqipëri.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres






