Shqipëria ka nisur të përgatitet zyrtarisht për Kampionatin Europian U-21, që do të zhvillohet në vendin tonë në vitin 2027. Në kuadër të organizimit të turneut, UEFA ka ndërmarrë një fazë inspektimesh në stadiumet dhe qytetet që do të mirëpresin ndeshjet, ndërsa vlerësimet po fokusohen si te kushtet ekzistuese ashtu edhe te nevojat për përmirësime.
Gjatë këtyre vizitave, ekipet e UEFA-s po shqyrtojnë kushtet dhe kërkesat teknike që impiantet sportive duhet të plotësojnë për një event të kësaj përmasë. Në paralel, janë evidentuar edhe ndërhyrjet që pritet të kryhen për ta sjellë çdo stadium në parametrat e kërkuar, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për zhvillimin e turneut.
Drejtuesi i Operacioneve në UEFA, Guillaume Poisson, ka folur për rëndësinë e inspektimeve dhe për atë çfarë po ndodh në qytetet pritëse. Në një prononcim për fshf.org, Poisson tha se është “shumë e rëndësishme për një vend si Shqipëria të ketë mundësinë të organizojë një prej turneve madhore të UEFA-s”. Ai e lidhi këtë edhe me besimin që UEFA ka te Federata Shqiptare e Futbollit dhe te aftësia e saj për të menaxhuar organizime të turneve të UEFA-s.
Poisson theksoi se ky proces është edhe një mundësi për të treguar atë që Shqipëria ofron sot dhe atë që do të jetë në gjendje të ofrojë në një moment konkret gjatë turneut. Më tej, ai bëri me dije se delegacioni i UEFA-s ka zhvilluar vizita në Shkodër dhe Elbasan, ku janë inspektuar stadiumet pritëse. Sipas tij, tashmë janë evidentuar të gjitha përmirësimet dhe ndërhyrjet që duhen bërë, ndërsa qytetet pritëse i kanë marrë informacionet dhe raportet përkatëse dhe e dinë se çfarë duhet të kryejnë.
Inspektimet e UEFA-s: ja çfarë pritet për EURO U-21 2027
Drejtuesi i Operacioneve në UEFA shpjegoi edhe vijimësinë e procesit. “Ne do të rikthehemi në muajin mars”, tha Guillaume Poisson, duke sqaruar se vizita e ardhshme do të jetë faza e fundit e punës, me qëllim vlerësimin përfundimtar. Ai shtoi se objektivi i rikthimit në mars është të shihet nëse impiantet dhe stadiumet janë gati për të pritur turneun e planifikuar.
Poisson u ndal edhe në aspektin organizativ dhe në përvojën që një Kampionat Europian U-21 duhet t’u ofrojë tifozëve dhe spektatorëve. Sipas tij, një ndeshje futbolli nuk përbëhet vetëm nga 90 minutat e lojës në fushë, sidomos kur bëhet fjalë për një turne të kategorisë U-21. Për Guillaume Poisson, në këtë event duhet të merret parasysh gjithë përvoja e spektatorit, “përtej 90 minutave të futbollit”.
Në këtë kuadër, ai theksoi rolin e publikut shqiptar. Poisson tha se publiku duhet të jetë i pranishëm, të mbështesë komunitetin dhe vendin, si dhe të tregojë se Shqipëria di ta festojë futbollin dhe i jep vëmendjen e merituar yjeve të së ardhmes. Më tej, ai e përshkroi Shqipërinë si një destinacion të përshtatshëm për verën e vitit 2027, duke iu referuar edhe periudhës konkrete të zhvillimit të turneut: nga 16 qershori deri më 3 korrik. “Ejani në Shqipëri, blini një biletë për një ndeshje dhe zbuloni këtë vend të bukur”, përfundoi Guillaume Poisson.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres





