Shqipëria ka hyrë në sezonin veror me një dinamizëm të fortë në tregun e akomodimeve, duke regjistruar më shumë vizitorë sesa prona të reja që i shtohen ofertës për apartamente me qira afatshkurtra. Në këtë segment, kërkesa po përparon me shpejtësi, ndërsa oferta nuk po rritet në të njëjtin ritëm, duke sjellë ndikim të drejtpërdrejtë te prenotimet dhe te çmimet.
Gjatë qershorit, kërkesa për qira afatshkurtra u rrit me një ritëm më shumë se dy herë më të shpejtë se oferta. Ky disbalancim mes kërkesës dhe numrit të njësive të disponueshme u reflektua në rritjen e normës së zënies, pra të prenotimeve, si dhe në rritjen e çmimeve të aplikuara nga pronarët. Të dhënat e analizuara nga AirDNA tregojnë qartë se tregu po “përthith” kapacitetet ekzistuese, pa i lënë të qetë parametrat e sezonit.
Kërkesa po tejkalon ofertën, rriten prenotimet dhe tarifa
Sipas të dhënave të AirDNA, në qershor 2026 u regjistruan 284 329 net-qëndrime në pronat e listuara në platformat e qirave ditore. Ky është një rezultat 22,6% më i lartë krahasuar me një vit më parë. Në të njëjtën periudhë, numri i pronave të disponueshme u rrit në 31 655, nga 28 972 që ishin në qershor të vitit 2025, duke shënuar rritje prej 9,26%.
Kur kërkesa ecën dukshëm më shpejt sesa oferta, norma e zënies rritet. Në qershor, norma e zënies ose e prenotimeve u rrit në 58,89%, nga 55,47% një vit më parë. Rritja është 3,42 pikë përqindjeje, duke konfirmuar se segmenti vazhdon të ketë kërkesë të lartë dhe se kapacitetet e disponueshme zënë vend shpejt në kalendarin e prenotimeve.
Përveç shifrave mujore, të dhënat për periudhën e fundit 12-mujore e ruajnë të njëjtin ton pozitiv. Në periudhën e mbyllur në qershor, numri mesatar i listimeve arriti në 28 074, që përkthehet në 15,34% më shumë se një vit më parë. Po kështu, netët e rezervuara u rritën me 17,93%, duke shkuar në 2,51 milionë netë të rezervuara. Të ardhurat e vlerësuara nga tregu arritën në 144,1 milionë euro, me një rritje vjetore prej 20,05%.
Edhe çmimet mbajtën tendencë rritëse. Tarifa mesatare për periudhën 12-mujore u rrit në 57,5 euro për natë, nga 56,5 euro që ishte më parë. Norma mesatare e zënies u përmirësua lehtë në 54,49%, nga 54,1%. Këto shifra tregojnë se tregu jo vetëm po mbush më shumë ditë të kalendarit, por edhe po mban një nivel çmimi të qëndrueshëm e në rritje, pavarësisht se kapacitetet shtohen me ritme më të ngadalta se kërkesa.
Shqipëria, gjithashtu, ruajti ritmin më të shpejtë të zgjerimit të ofertës brenda grupit të vendeve të rajonit të përfshira në të dhënat e AirDNA. Rritja prej 15,34% ishte më e lartë se në Malin e Zi, ku shënohet 10,04%, në Rumani me 9,99%, në Serbi me 8,49%, në Slloveni me 6,61% dhe në Bullgari me 4,96%. Për nga madhësia e tregut, Shqipëria mbetet e dyta në grup, pas Rumanisë, duke u pozicionuar si një nga destinacionet që po tërheq vëmendje të qëndrueshme në sektorin e akomodimeve me qira ditore.
Në nivel krahasues për 12 muajt, Shqipëria kishte mesatarisht 28 074 listime mujore, ndërsa Rumania 34 384. Më pas renditeshin Mali i Zi me 21 902 listime, Bullgaria me 18 678, Serbia me 15 333 dhe Sllovenia me 10 826. Panorama e qershorit e lidh të gjithë zinxhirin e shifrave: gjithnjë e më shumë persona po i drejtohen apartamenteve me qira ditore si një mundësi investimi në pasuri të paluajtshme, ndërkohë që rritja e rezervimeve tregon se kërkesa për këtë lloj akomodimi mbetet e fortë dhe nuk po zbehet gjatë sezonit.
Botuar fillimisht në Telegrafi






