Një rregullore e re për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve publike të “Prishtina Parking” parashikon tarifa të reja për parkim në kryeqytet. Çmimet ndryshojnë sipas zonës ku parkon automjeti dhe sipas kohëzgjatjes së qëndrimit, nga një orë deri te biletat mujore e vjetore. Rregullorja hyn në fuqi me skemën e tarifimit të përcaktuar në anekset e saj, duke ndarë Prishtinën në tri zona kryesore.
Zona I, që përfshin qendrën e Prishtinës, ka tarifat më të larta. Në këtë zonë, një orë parkim kushton 1.40 euro. Për ata që qëndrojnë më gjatë, parkimi ditor, deri në 24 orë, kushton 20 euro. Skema vazhdon me bileta javore 40 euro, bileta mujore 140 euro dhe bileta vjetore 1 mijë e 400 euro. Edhe në parkingjet me laura brenda Zonës I, çmimi për një orë parkim është po 1.40 euro. Ndërkaq, parkimi ditor në këto parkingje me laura është 10 euro dhe aktivizohet automatikisht pas orës së shtatë të qëndrimit.
Tarifat Në Zonën II janë më të ulëta. Kjo zonë përfshin hapësirën nga përfundimi i zonës qendrore deri përgjatë dhe brenda unazës së brendshme të kryeqytetit. Për një orë parkim në Zonën II, çmimi është 70 centë, ndërsa parkimi ditor kushton 10 euro. Për periudha më të gjata, bileta javore është 22 euro, ajo mujore 42 euro dhe bileta vjetore 420 euro. Edhe në parkingjet me laura në këtë zonë, një orë parkim kushton 70 centë, ndërsa parkimi ditor është 7 euro.
Në Zonën III, e cila shtrihet nga përfundimi i unazës së brendshme deri në kufijtë e zonës urbane të Prishtinës, tarifat janë edhe më të ulëta. Për këtë zonë, një orë parkim kushton 40 centë. Parkimi ditor në këtë segment është 5 euro, bileta javore 12 euro, bileta mujore 30 euro dhe bileta vjetore 300 euro. Edhe në parkingjet me laura në Zonën III, një orë parkim kushton 30 centë, ndërsa parkimi ditor tre euro.
Tarifat e reja sipas zonave: çmime nga 40 centë deri në 1.40 euro për orë
Rregullorja për rikthimin e “Prishtina Parking” është votuar nga Kuvendi i Prishtinës, duke përcaktuar qartë skemën e pagesave për qytetarët dhe kushtet e aktivizimit të disa kategorive të parkimit. Në këtë dokument, përpos çmimeve të përgjithshme për të gjithë shfrytëzuesit, janë parashikuar edhe tarifa të veçanta për banorët rezidentë, të cilët kanë të drejtë të shfrytëzojnë parkingjet publike në zonën ku kanë adresën e banimit.
Për automjetin e parë, banorët rezidentë lirohen nga pagesa e parkimit në të tria zonat. Megjithatë, ata duhet të paguajnë tarifë vjetore për regjistrim dhe shpenzime administrative: 20 euro në Zonat I dhe II, dhe 10 euro në Zonën III. Për automjetin e dytë, tarifa ndryshon sipas zonës: në Zonat I dhe II është 20 euro në muaj ose 140 euro në vit, ndërsa në Zonën III është 10 euro në muaj ose 60 euro në vit.
Për automjetin e tretë, çmimet rriten më tej. Në Zonën I, tarifa arrin 63 euro në muaj ose 630 euro në vit; në Zonën II është 42 euro në muaj ose 420 euro në vit; ndërsa në Zonën III është 20 euro në muaj ose 120 euro në vit. Tarifat rriten edhe më shumë për automjetin e katërt dhe çdo automjet shtesë: në Zonën I banorët paguajnë 140 euro në muaj ose 1 mijë e 400 euro në vit, në Zonën II 98 euro në muaj ose 980 euro në vit, ndërsa në Zonën III 40 euro në muaj ose 400 euro në vit.
Rregullorja përcakton edhe tarifa të veçanta për automjetet e bizneseve dhe punonjësve. Për automjetet e bizneseve, pagesa mujore është 63 euro në Zonën I, 45 euro në Zonën II dhe 25 euro në Zonën III. Për automjetet e punonjësve, tarifat mujore janë 42 euro në Zonën I, 28 euro në Zonën II dhe 30 euro në Zonën III. Ndërsa për parkingjet rezidenciale me laura, vendosja e tyre mund të iniciohet nga “Prishtina Parking” në bashkëpunim me banorët, me kusht që të sigurohet paraprakisht pëlqimi i së paku 80 për qind të banorëve rezidentë të lagjes përkatëse. Dokumenti përfshin gjithashtu procedurat e regjistrimit të automjeteve të dyta dhe të treta, ku përparësi kanë banorët rezidentë dhe pronarët e lokaleve afariste.
Botuar fillimisht në Telegrafi








