Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka hapur konferencën ndërkombëtare “Future Industry Minds 2026”, e cila po zhvillohet në Schloss Bensberg të Gjermanisë. Ngjarja sjell në një platformë të përbashkët profesionistë, aktorë të industrisë dhe përfaqësues institucionalë, me qëllim të nxitjes së shkëmbimeve profesionale, inovacionit dhe dialogut të nivelit të lartë.
Konferenca funksionon si një pikë takimi për tema që lidhen drejtpërdrejt me industrinë, digjitalizimin dhe transformimin teknologjik. Në këtë edicion, Kosova po merr pjesë si Shtet Partner, ndërsa përfaqësues institucionalë dhe kompani kosovare janë pjesë e programit dyditor të aktivitetit, duke zhvilluar diskutime dhe mundësi bashkëpunimi në kuadër të fokusit të konferencës.
Në fjalën e tij hapëse, Kurti ka ndalur te marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë, duke shprehur falënderim për shtetin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës. Ai ka vënë në pah edhe rëndësinë e lidhjeve njerëzore mes dy vendeve, duke përmendur se në Gjermani jetojnë rreth 600 mijë pjesëtarë të mërgatës nga Kosova, të cilët, sipas tij, janë të integruar dhe të suksesshëm.
Kurti ka theksuar se në këtë komunitet ka profile të ndryshme profesionale, duke përfshirë doktorë, inxhinierë, ndërmarrës dhe punëtorë të aftë. Ai ka argumentuar më tej se Kosova ka potencial të madh edhe për shkak të fuqisë punëtore, duke qenë ndër vendet me popullsinë më të re në Evropë. “Dekada të migrimit kanë krijuar një gjeneratë të kosovarëve që janë rritur si bilingualë, që flasin shqip dhe gjermanisht, të cilët kanë studiuar në Gjermani, janë trajnuar në Gjermani dhe në shumë raste kanë punuar në Gjermani para se të kthehen në shtëpi”, ka deklaruar kryeministri në detyrë.
Kosova po i shfrytëzon lidhjet me Gjermaninë për teknologji
Sipas Kurtit, bashkëpunimi mes kompanive kosovare dhe atyre gjermane lehtësohet edhe nga infrastruktura digjitale në Kosovë. Ai ka dhënë një shembull konkret të funksionimit të komunikimit në distancë: “Kur ekipi juaj në Prishtinë bashkohet në një video-lidhje me selinë qendrore në Köln ose Frankfurt, nuk ka nevojë për përkthyes. Krejt çfarë duhet është interneti i mirë”, u shpreh ai, duke nënvizuar rolin e teknologjisë në krijimin e lidhjeve të drejtpërdrejta për bizneset.
Kur Kurti ka kaluar te dimensioni ekonomik i marrëdhënieve mes dy vendeve, ka theksuar se qarkullimi i përgjithshëm tregtar ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë ka arritur në 1.8 miliardë euro. Ndërkaq, ai ka theksuar se kompanitë gjermane kanë investuar rreth 1.5 miliardë euro në Kosovë, ku 62 për qind e investimeve janë realizuar vetëm gjatë pesë viteve të fundit. Sipas tij, këto shifra tregojnë një dinamikë në rritje dhe një interes të qartë në fusha të ndryshme të ekonomisë.
Kryeministri në detyrë ka vlerësuar edhe rolin e kompanive kosovare që janë pjesë e konferencës, duke i cilësuar si partnere serioze për tregun ndërkombëtar. Fokus i veçantë, sipas tij, është në sektorin e teknologjisë informative dhe shërbimeve. “Kompanitë në këtë dhomë tashmë janë dëshmuar për klientë ndërkombëtarë. Ato kanë përmbushur afatet evropiane dhe kanë ndërtuar ekipe që komunikojnë rrjedhshëm në gjermanisht”, tha Kurti. Ai shtoi se këto kompani “nuk janë në fillim të rrugëtimit të tyre”, por ndodhen në një fazë ku partneritetet e reja mund të përshpejtojnë zhvillimin e mëtejmë.
Botuar fillimisht në Telegrafi



