Një fëmijë që është tepër i sjellshëm dhe rrallëherë kundërshton, shpesh krijon përshtypjen e një edukimi të mirë. Në shtëpi ai ndan lodrat me të tjerët, i përdor zakonisht fjalët “të lutem” dhe “faleminderit”, kërkon me mirësjellje atë që i duhet dhe duket i gatshëm të bashkëpunojë në çdo situatë. Madje, një sjellje e tillë mund të shoqërohet edhe me kërkesa të shpeshta për falje, edhe kur nuk ka ndonjë faj të qartë. Por, sipas psikologëve, pas kësaj fasade “perfekte” mund të fshihet diçka më komplekse.
Kur fëmija përpiqet vazhdimisht t’i kënaqë të gjithë dhe kërkon falje pa arsye, ai mund të jetë duke u përpjekur të shmangë çdo lloj tensioni. Në shumë raste, kjo lidhet me nevojën për miratim: fëmija mëson se mënyra për të qenë i pranuar është të vendosë dëshirat e të tjerëve përpara të vetave. Kështu ai mund të zhvillojë zakonin për të mos krijuar konflikte, për të mos u ndier në kundërshtim dhe për të vepruar sikur i plotëson pritshmëritë e të tjerëve në çdo moment. Me kalimin e kohës, kjo mënyrë reagimi mund të ndikojë te vetëvlerësimi, të rrisë ankthin dhe ta vështirësojë vendosjen e kufijve në marrëdhëniet e ardhshme.
Sipas terapistes familjare Nina Westbrook, fëmijët që vazhdimisht i japin përparësi ndjenjave të të tjerëve mund të humbasin gradualisht aftësinë për të kuptuar qartë çfarë dëshirojnë dhe çfarë u nevojitet vërtet. Ata mund të krijojnë bindjen se vlera e tyre lidhet me dobia që u sjellin të tjerëve ose me aftësinë për t’i bërë njerëzit përreth të lumtur. Kjo e zhvendos vëmendjen nga nevojat personale drejt asaj që pritet prej tyre, duke krijuar një lloj “presioni të heshtur” për të qenë gjithmonë të përshtatshëm dhe të pranueshëm.
Shenjat kur “mirësjellja” fsheh frikën e mospranimit
Psikologu Joseph Laino shpjegon se nevoja e vazhdueshme për miratim mund të krijojë pasiguri rreth identitetit personal. Në këtë rast fëmijët mund të kenë vështirësi për të vendosur kufij të shëndetshëm, sepse i shohin kufijtë si diçka që mund të çojë në kritika ose në zhgënjim të të tjerëve. Kur një fëmijë varet nga vlerësimi i jashtëm, shpesh jeton me frikën se mund të bëjë gabim, mund të mos jetë “në rregull” sipas standardeve të të tjerëve, ose mund të lëndojë dikë thjesht duke kërkuar atë që do.
Një pasojë tjetër e mundshme është rraskapitja emocionale dhe pakënaqësia, pasi fëmija përpiqet të mbajë një ekuilibër të vështirë: të mos kundërshtojë kurrë dhe të mos zhgënjejë askënd. Përveç kësaj, kjo mënyrë sjelljeje mund të rrisë rrezikun për probleme psikologjike. Në moshën madhore, këta individë mund ta kenë më të vështirë të mbrojnë interesat e tyre dhe të dallojnë marrëdhëniet që mund të jenë të pashëndetshme.
Për të kuptuar më mirë nëse kemi të bëjmë vetëm me sjellje të mirë apo me një nevojë për të kënaqur të tjerët, psikologu Laino thekson se ka disa shenja të dallueshme. Mirësjellja është cilësi e dëshirueshme, por përpjekja konstante për të marrë miratimin e të tjerëve është diçka tjetër. Fëmijët në këtë situatë shpesh kërkojnë siguri gjatë gjithë kohës, duke bërë pyetje si: “A po e bëj mirë?”, “A është në rregull kështu?”, “A je zemëruar me mua?”. Ata mund të kenë vështirësi për të thënë “jo”, edhe kur u kërkohet të bëjnë diçka që nuk e dëshirojnë. Po ashtu, mund të kërkojnë falje pa faj, të ndjekin gjithmonë mendimin e grupit, ose të pretendojnë se u pëlqen diçka vetëm që të pranohen.
Në disa raste, këta fëmijë shmangin kundërshtimet dhe marrin përsipër më shumë përgjegjësi sesa mund të përballojnë, nga frika se mos zhgënjejnë prindërit, mësuesit apo bashkëmoshatarët. Dallimi kryesor është se nuk janë thjesht të sjellshëm: ata sakrifikojnë nevojat personale për të fituar kënaqësinë e të tjerëve. Nëse në dukje çdo reagim i tyre është i përshtatur për të shmangur pakënaqësinë e tjetrit, ia vlen të merret seriozisht kjo dinamikë dhe të mendohet për mënyra që fëmija të mësojë të ndjehet i sigurt edhe kur nuk pajtohet.
Për ta ndihmuar fëmijën të vendosë kufij, psikologu rekomandon që prindërit të mësojnë mënyra të thjeshta për të thënë “jo” me mirësjellje, por edhe me vendosmëri. Një shembull praktik është: “Jo, nuk mund të ta jap tani, sepse dua të luaj edhe unë me të”. Po ashtu, ka rëndësi mënyra si prindërit i lavdërojnë fëmijët. Mosha e hershme është vendimtare për të kuptuar se vlera nuk përcaktohet vetëm nga ndihmesa ndaj të tjerëve, por edhe nga aftësia për të shprehur mendimin dhe për të mbrojtur nevojat. Kur fëmija kërkon falje pa arsye, prindërit mund t’i kujtojnë se ka të drejtë të ndihet i mërzitur, i zemëruar apo i zhgënjyer. Mbi të gjitha, fëmija duhet të kuptojë se dashuria prindërore nuk varet nga bindja e plotë, përsosmëria apo përmbushja e pritshmërive të të tjerëve. Ai duhet të ndihet i pranuar edhe kur gabon, kundërshton ose zgjedh ndryshe.
Botuar fillimisht në Telegrafi








