Një cikël i ri hënor pritet të sjellë energji të reja në aspekte të ndryshme të jetës, duke vënë në qendër marrëdhëniet, vendimet personale dhe çështjet familjare. Në interpretimet astrologjike, ky moment lidhet me nisje nga e para dhe ndryshime të thella, të cilat mund të ndihen më fort te disa shenja të zodiakut.
Sipas parashikimeve, më 9 nëntor 2026, në orën 08:02 sipas kohës së Evropës Qendrore, ndodh Hëna e re në shenjën e Akrepit. Fenomeni do të jetë në pozicionin 16 gradë e 53 minuta. Në astrologji, Hëna e re konsiderohet ndër momentet më të rëndësishme të stinës së vjeshtës, pasi hap rrugë për fillime të reja dhe për përballje me transformime personale.
Ndryshe nga Hëna e plotë, e cila zakonisht lidhet me mbyllje ciklesh, Hëna e re përfaqëson mundësinë për të nisur diçka nga e para. Për shkak të lidhjes së Akrepit me emocionet, besimin, intimitetin dhe transformimin, ky tranzit parashikohet të intensifikojë kërkesën për ndryshime, si në planin e ndjenjave, ashtu edhe në atë të prioriteteve personale.
Hëna e re në Akrep ndez ndryshime: ja 3 shenjat
Astrologët vënë në fokus tri shenja që pritet ta ndiejnë ndikimin më fort të këtij cikli: Akrepi, Demi dhe Luani. Për këto shenja, ndryshimet lidhen me vendime të rëndësishme, rregullime në marrëdhënie dhe një reflektim më të thellë për atë që duan realisht në jetë.
Akrepi – Hëna e re shënon një periudhë vetëreflektimi dhe rishikimi të prioriteteve. Mund të shfaqet dëshira për të ndryshuar mënyrën e jetesës, për të lënë pas marrëdhënie që nuk sjellin më kënaqësi, ose për t’u përqendruar te synimet e shtyra prej kohësh. Në aspektin e dashurisë, theksi vihet te besimi dhe respekti i ndërsjellë, ndërsa për Akrepët parashikohet nevoja për të vendosur kufij më të qartë. Edhe në karrierë, parashikohet një fazë me vendime domethënëse, por këshillohet të shmangen veprimet impulsive.
Demi – Ndryshimet lidhen kryesisht me dashurinë, martesën dhe bashkëpunimet profesionale. Hëna e re aktivizon në mënyrë simbolike fushën e partneriteteve dhe nxit pyetje rreth besimit, përkushtimit dhe barazisë në marrëdhënie. Për ata që janë në lidhje, kjo mund të sjellë biseda mbi të ardhmen, ndërsa beqarët mund të rishikojnë kriteret sipas të cilave zgjedhin partnerin. Një element që përmendet në interpretim është edhe Venera në lëvizje retrograde; sipas astrologjisë, kjo mund t’i rikthejë në vëmendje çështjet e pazgjidhura.
Luani – Për Luanët, vëmendja zhvendoset nga jeta publike drejt familjes dhe qetësisë personale. Disa mund të mendojnë për ndryshim vendbanimi, rinovim të shtëpisë ose për zgjidhje të mosmarrëveshjeve familjare. Në interpretim përmendet se prania e Marsit dhe Jupiterit në shenjën e Luanit lidhet me energji dhe ambicie të shtuara. Megjithatë, mesazhi i periudhës është që të mos sakrifikohet qetësia familjare për suksesin profesional.
Ndërkohë, parashikimet astrologjike shtrihen edhe te nëntë shenjat e tjera. Dashi pritet të përballet me çështje të financave të përbashkëta, borxheve dhe besimit në marrëdhënie, duke e parë këtë si një moment për riorganizim të detyrimeve. Binjakët mund të ndiejnë ndryshime që prekin punën dhe rutinën e përditshme, duke kërkuar më shumë ekuilibër mes angazhimeve dhe pushimit. Gaforrja mendohet se do të ketë në plan të parë dashurinë, krijimtarinë dhe kënaqësitë personale, me mundësi për dëshira ndaj përvojave të reja.
Virgjëresha parashikohet të ketë komunikim si element kyç; bisedat e sinqerta mund të ndihmojnë në zgjidhjen e keqkuptimeve të vjetra. Peshorja pritet të fokusohet te paratë dhe vlerësimi personal, duke e parë periudhën si kohë për rishikim të shpenzimeve. Shigjetari mund të ketë nevojë më të madhe për qetësi dhe reflektim, me pushim dhe distancim nga ngarkesat që sjellin më shumë qartësi. Bricjapi pritet të ketë në qendër miqësitë dhe planet afatgjata, me mundësinë që disa marrëdhënie të marrin drejtim tjetër.
Ujori e zhvendos fokusin drejt karrierës dhe ambicieve profesionale, duke hapur idetë për ndryshim të drejtimit profesional. Ndërsa Peshqit pritet t’i gjejnë më tërheqëse udhëtimet, studimet dhe zgjerimin e njohurive, në një periudhë ku mund të eksplorohen mundësi të reja.
Në interpretimin astrologjik, Hëna e re në Akrep shoqërohet me guximin për të mbyllur kapituj të vjetër dhe për t’u hapur ndaj ndryshimeve. Parashikimet paraqiten si interpretime astrologjike dhe jo si zhvillime të vërtetuara shkencërisht.
Botuar fillimisht në Telegrafi








