Kur vjen koha për larjen e tepihëve, shumë familje përpiqen t’i pastrojnë shpejt dhe me mjetet që kanë në shtëpi. Por një kujdes i gabuar mund të sjellë efekte që i shkatërrojnë si pamjen, ashtu edhe pastërtinë e materialit. Tepihu është një element që i jep ngrohtësi enterierit dhe, përveç pamjes, ndikon drejtpërdrejt edhe në higjienën e shtëpisë.
Teprimi me ujin, përdorimi i detergjenteve të pasakta, ose fërkimi i fortë i njollave janë disa nga gabimet më të zakonshme që bëhen gjatë larjes. Këto veprime mund të ndikojnë në ngjyrën, strukturën dhe pastërtinë e fibrave. Nëse tepihët nuk mirëmbahen siç duhet, ata mund të kthehen në burim aromash të pakëndshme dhe të rrisin rrezikun e problemeve shëndetësore, sepse grumbullojnë lehtë pluhur, papastërti dhe alergjenë.
Ditët e ngrohta janë koha ideale për pastrim të përgjithshëm të shtëpisë, përfshirë edhe larjen e tepihëve. Në këtë periudhë, tepihët thahen më shpejt dhe freskohen më lehtë, çka ndihmon që të shmangen situatat kur lagështia qëndron për një kohë të gjatë. Gjithsesi, edhe kur kushtet janë të favorshme, mënyra e larjes mbetet vendimtare për të ruajtur butësinë dhe pamjen e tyre.
Pesë gabime që duhet t’i shmangni për të mos e prishur tepihun
E para është përdorimi i tepërt i ujit gjatë larjes. Kur tepihu laget shumë, detergjenti nuk depërton në mënyrë të barabartë në fibra dhe lagështia mund të mbetet për një kohë të gjatë. Kjo rrit rrezikun e shfaqjes së erërave të pakëndshme, mykut dhe dëmtimit të materialit. Moderimi, pra përdorimi i një sasie më të kontrolluar uji, ndihmon që tharja të jetë më e shpejtë dhe më e sigurt.
E dyta lidhet me zgjedhjen e mjeteve të pastrimit. Kimikatet e papërshtatshme mund ta dëmtojnë tepihun përgjithmonë ose të lënë njolla që nuk hiqen më. Çdo lloj materiali kërkon kujdes të veçantë, prandaj produktet universale nuk janë gjithmonë zgjidhja më e mirë. Para se të filloni, është e rëndësishme të lexoni me kujdes deklaracionet dhe të zgjidhni preparate të dedikuara për llojin e fibrave të tepihut tuaj.
E treta është fërkimi i fortë i njollave. Shpesh njerëzit mendojnë se duke fërkuar më fort, njolla do të hiqet më shpejt, por në të vërtetë ky veprim mund të shkaktojë dëme shtesë. Njolla mund të përhapet ose të depërtojë më thellë në fibra, duke e bërë më të vështirë pastrimin. Në vend të kësaj, rekomandohet të tampononi lehtë dhe ta hiqni gradualisht papastërtinë, pa forcë.
E katërta është mosfshirja me fshesë elektrike para larjes. Para se ta lani, tepihu duhet patjetër të pastrohet mirë me fshesë elektrike. Në fibra grumbullohen pluhur, qime dhe grimca të imta; nëse këto nuk hiqen paraprakisht, gjatë larjes vetëm shpërndahen dhe përkeqësojnë situatën. Pastrimi i rregullt me fshesë elektrike e lehtëson mirëmbajtjen dhe i zgjat jetëgjatësinë tepihut.
E pesta është shmangia e pastrimit profesional. Edhe pse shumë tepihë mund të lahen në shtëpi, ka raste kur pastrimi profesional është zgjidhja më e mirë. Shërbimet profesionale përdorin pajisje dhe preparate speciale që largojnë papastërtitë në thellësi. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për tepihë të mëdhenj, tepihë delikatë ose shumë të ndotur, ku pastrimi në kushte shtëpie mund të mos mjaftojë.
Mirëmbajtja e duhur e tepihëve nuk kërkon shumë komplikime, por kërkon disiplinë dhe shmangie të gabimeve të zakonshme. Kur pastrohen siç duhet, tepihët mund të ruajnë për vite me radhë pamjen, butësinë dhe pastërtinë, ndërsa shtëpia mbetet më e shëndetshme dhe më e këndshme për jetesë.
Botuar fillimisht në Telegrafi





