Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko, njëherësh iniciues i Projektligjit për njohjen e pavarësisë së Kosovës në Parlamentin e Ukrainës, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd. Gjatë vizitës së tij në Serbi, Zelensky ka thënë se Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Menjëherë pas këtij qëndrimi, Goncharenko ka kritikuar publikisht qëndrimin e presidentit ukrainas, duke e cilësuar deklaratën si “gabim diplomatik”.
Sipas Goncharenkos, mesazhi i Zelenskyt bie në kundërshtim me qëndrimet e Ukrainës për Kosovën dhe me pritshmëritë që sipas tij ekzistojnë për një hap të qartë drejt njohjes. Ai ka shkruar se ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe se beson që Ukraina duhet ta njohë shtetin. Deputeti ka shtuar se do të vazhdojë të punojë për pavarësinë e Kosovës, duke nënvizuar se “përfundimisht Ukraina do ta njohë atë”.
Goncharenko e ka përcjellë kritikën e tij përmes një postimi në platformën “X”. Në të njëjtin publikim, ai ka shpërndarë edhe një fotografi ku shihet se slogani “Free Ukraine” është larguar nga Hoteli Grand në Prishtinë. Në postim, deputeti e ka lidhur këtë zhvillim me reagimet politike të bëra publike dhe me mënyrën se si po shprehet pozicioni i Ukrainës në lidhje me Kosovën.
Reagimi i deputetit Goncharenko vjen në një moment kur deklaratat e Zelenskyt kanë prodhuar edhe kundërreagime të tjera brenda Kosovës. Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit ukrainas, duke shprehur keqardhje dhe duke e theksuar se Kosova nuk e mbështet paraqitjen e Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë. Konjufca ka shkruar në “X” se Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës, por në të njëjtën kohë kundërshton çdo paraqitje të Republikës së Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë.
Zelensky në Beograd, Goncharenko: deklarata “gabim diplomatik”
Në vizitën e parë zyrtare në Beograd, Zelensky është shprehur se shteti i tij nuk e ka ndryshuar qëndrimin sa i përket mosnjohjes së Kosovës. Ai ka thënë edhe se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare. Udhëheqësi ukrainas ka thënë se Ukraina është mirënjohëse ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, duke përfshirë edhe Krimenë, të cilën Rusia e ka aneksuar paligjshëm më 2014.
Konjufca është kundërpërgjigjur ndaj këtyre pretendimeve duke thënë se Kosova do të mirëpriste njohjen nga Ukraina. Ai ka argumentuar se një vendim i tillë do të forconte parimet e lirisë, demokracisë dhe ligjit ndërkombëtar, që sipas tij “Ukraina po i mbron sot”. Konjufca ka theksuar se shteti i Kosovës ka lindur nga lufta e popullit për liri dhe çlirimi i tyre më 1999 erdhi pas viteve të shtypjes sistematike dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviqit. Sipas tij, procesi që pasoi nuk ishte thjesht një akt ankesimi, okupimi apo pushtimi territorial, por një proces i gjerë ndërkombëtar nën administratën e Kombeve të Bashkuara dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar për statusin final të Kosovës.
Reagime për deklaratën e Zelenskyt ka pasur edhe nga Shqipëria. Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë e ka cilësuar të gabuar çdo përpjekje për të tërhequr paralele mes Kosovës dhe situatave të tjera ndërkombëtare. Në reagimin e datës 9 gusht, Ministria ka theksuar se “çdo përpjekje për të tërhequr paralele apo për të barazuar Kosovën me ndonjë situatë tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe krejtësisht e pasaktë”. Shqipëria ka argumentuar se Kosova ka themelet e saj historike, politike dhe ligjore dhe ka përmendur edhe një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për çështjen e shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.
Ndërkaq, në reagim është theksuar se me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, GJND-ja ishte e prerë: shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ministria e Jashtme ka shtuar se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës është një çështje krejtësisht tjetër, duke u shprehur se ai përbën shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe një shkelje flagrante të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Për Shqipërinë, paqja në Ballkanin Perëndimor dhe e ardhmja evropiane e rajonit kërkon pranimin e realitetit të pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës. Ministria ka theksuar se pavarësia e Kosovës ka kontribuar në stabilitetin rajonal dhe është pjesë e një të ardhmeje ku kufijtë nuk ndryshohen përmes forcës, ndërsa popujt e komunitetet mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre në paqe dhe siguri.
Botuar fillimisht në Telegrafi




