Tiana Krasniqi ka rrëfyer një histori të pazakontë dashurie, që nisi gjatë studimeve dhe përfundoi me martesë brenda burgut. Ajo ka treguar për emisionin “Në Kohë Reale” se si u lidh me James Broadnax, një person i dënuar me vdekje në Teksas, i cili u ekzekutua pak pasi çifti u martua. Për Tianën, gjithçka filloi në një moment krejt të zakonshëm akademik: përgatitja e provimit të fundit të masterit në drejtat e njeriut.
Sipas rrëfimit të saj, në vitin 2024 Tiana ishte duke u përgatitur për provimin final të masterit. Për temën e diplomës, ajo zgjodhi të shkruante për sistemin e dënimit me vdekje në Teksas. Për të mbledhur informacion dhe për të kuptuar më nga afër çështjen, ajo nisi një korrespondencë me email me James Broadnax, i cili ndodhej në radhën e të dënuarve me vdekje. Tiana e përshkruan fazën e parë si një komunikim që nisi profesionalisht: email-e, të cilat më pas u shndërruan gradualisht në diçka më personale.
“Fillimisht ishte komunikim profesional. Pastaj kaloi në telefonata të përditshme. Pas tre muajsh kuptuam se midis nesh kishte diçka më shumë se thjesht një temë diplome”, ka treguar ajo. Ndërkohë, Tiana thotë se Broadnax e kishte të veçantë mënyrën e të qenit: interesi i tij i sinqertë për jetën e saj, për kulturën shqiptare, për shkollimin dhe respektin e vazhdueshëm që ai tregonte. Ajo thekson se komunikimi mes tyre nuk vinte me gjykime apo mungesë respekti, por ruante gjithmonë një ton të ngrohtë e të kujdesshëm.
Pas më shumë se dy vjet e gjashtë muaj komunikim intensiv, çifti realizoi edhe takimin e parë fizik në SHBA. Tiana tregon se nga ajo pikë e kuptuan se lidhja e tyre ishte shumë më e vërtetë se sa telefonatat dhe mesazhet. Takimi, sipas saj, nuk ishte i lehtë: kishte shumë emocione, dhe nuk ishte vetëm gëzim. Ishte edhe pak i rëndë, sepse të dy e dinin se Broadnax ishte i dënuar me vdekje. Pavarësisht kësaj, ata vendosën të martohen.
Ndërsa afatet e ligjore dhe situata e rëndë e prisnin, ceremonia e martesës u zhvillua brenda burgut, përmes xhamit. Tiana thotë se ora 5:30 ishte caktuar si term i martesës. Ajo e përshkruan ditën si të gëzueshme, por edhe pak të mërzitshme, sepse e dinin se ai kishte një datë për ekzekutim. Sipas rrëfimit, procesi i martesës nuk ishte i shpejtë; kishte një procedurë shumë të gjatë, gati një vit. “Ishte një ditë shumë e bukur. Kemi qarë të dy”, shprehet ajo, duke theksuar se në atë moment ndjenin gëzim, por edhe trishtim, sepse e dinin çfarë i priste dhe kishin ende përpara luftën ligjore.
Komunikimi nisi si temë diplome, u shndërrua në martesë në burg
Pas një beteje ligjore të gjatë, James Broadnax u ekzekutua. Tiana ishte e pranishme gjatë orëve të fundit. Ajo përshkruan se momentet e fundit ishin jashtëzakonisht të rënda. Sipas saj, ai qante dhe përsëriste se nuk ishte gati të vdiste, duke thënë se nuk e kishte kryer krimin për të cilin ishte dënuar. Në rrëfimin e saj, Broadnax i kishte lënë mesazh edhe asaj, duke i kërkuar: “Mos u dorëzo. Tregoni botës që unë jam i pafajshëm”.
Tiana thotë se James Broadnax insistonte se ishte i pafajshëm dhe se sipas tij kishte marrë fajin mbi vete për të mbrojtur djalin e tezës së tij, i cili, sipas pretendimeve të tij, kishte lënë gjurmë ADN-je në vendin e krimit. Ajo shton se ADN-ja e Broadnax-it nuk u gjet as në armë, as në trupat e viktimave të grabitjes së vitit 2008. Në fund të intervistës, Tiana deklaron se nuk do të dorëzohet dhe se do t’i tregojë botës që ai ishte i pafajshëm.
Gjatë rrëfimit, Tiana flet edhe për atë që i solli kjo histori në shoqëri. Sipas saj, çështja e lidhjes së saj me një të dënuar me vdekje ka sjellë paragjykime të forta, madje edhe nga familja e saj. Ajo thekson se nuk ka kontakt me ta prej më shumë se 15 vitesh. Historia e saj, sipas rrëfimit në emision, mbetet një rast i veçantë ku një studim i lidhur me të drejtën dhe dënimin me vdekje u kthye në një lidhje personale që u konkretizua me martesë, por që u shoqërua nga një fund tragjik pas ekzekutimit.
Botuar fillimisht në Telegrafi






