Gazeta gjermane “Bild” ka ngritur sërish një pyetje rreth kalimit të 17-vjeçarit Erblin Osmani te Kosova. Futbollisti, i cili më parë ka qenë pjesë e zhvillimit në Gjermani, ka bërë tashmë hapat e parë edhe me përfaqësuesen e Kosovës A, duke debutuar në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Osmani luajti për ekipet U16 dhe U17 të Gjermanisë, ndërsa në Kosovë ka mbërritur përmes një kalimi që ka tërhequr vëmendjen jo vetëm në ambientin sportiv, por edhe në mediat e huaja. Talenti i Bayernit e ka bërë debutimin për Kosovën A të enjten, kur luajti në fund të ndeshjes së fituar 1:0 ndaj Irlandës.
Sipas “Bild”, Osmani është pritur ngrohtë në Kosovë. Megjithatë, gazeta ka vënë në fokus edhe dilemat që mund të lindin për federatën gjermane (DFB), duke e trajtuar kalimin si një çështje që mund të ketë ndikim në të ardhmen. “Bild” shkruan se në shikim të parë kalimi duket si befasi e madhe: një talent i Bayernit, me përvojë profesionale, largohet nga Gjermania, e renditur e 13-ta në botë, për t’iu bashkuar një vendi futbollistik të renditur në vendin e 77-të.
Pyetja e “Bild”: a do t’i bie pishman Gjermanisë?
Ndërsa kalimi te Kosova po vlerësohet pozitivisht, “Bild” përmend edhe rrugëtimin e Osmanit te Bayerni. Ai ka debutuar tashmë edhe në Bundesligë për skuadrën bavareze. Debutimin e ka zhvilluar në mars, kur ishte 16 vjeç, 10 muaj dhe 2 ditë. Sipas gazetës, ai është debutuesi i dytë më i ri në histori të Bayernit në Bundesligë, duke e bërë momentin edhe më të rëndësishëm për karrierën e tij.
Gazeta gjermane thotë se përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka luajtur një rol vendimtar në bindjen e talentit që të bashkohet me ekipin kombëtar kosovar. “Bild” pretendon se, duke qenë se Osmani kishte shumë opsione në mesfushë brenda sistemit gjerman, atij i është ofruar menjëherë një vend në ekipin nacional të Kosovës. Sipas shkrimit, listës së lojtarëve në dispozicion të Gjermanisë i përmenden emra si Joshua Kimmich, Aleks Pavloviq, Felix Nmecha dhe Tom Bischof, duke nënkuptuar se mundësitë për t’u aktivizuar nuk do të kishin qenë të menjëhershme në radhët e Gjermanisë.
“Bild” thekson se kjo mundësi ishte aq tërheqëse për Osmanin dhe të afërmit e tij, saqë ai mori pasaportë të Kosovës në fillim të shtatorit, me qëllim për ta lehtësuar kalimin nga një federatë në tjetrën. Më tej, Osmani e ka pranuar menjëherë ftesën e parë nga selektori Franco Foda, i cili e mbajti premtimin dhe e aktivizoi talentin sapo iu krijua mundësia e parë në ndeshje.
Përtej momentit të debutimit dhe vlerësimeve për federatën kosovare, “Bild” rikthen edhe dilemen për Gjermaninë. Gazeta vlerëson se shkalla në të cilën DFB-ja do të pendohet varet kryesisht nga zhvillimi i mëtejshëm i Osmanit. Nëse talenti arrin të afirmohet te Bayerni, “Bild” thotë se futbolli gjerman mund të ndiejë thellësisht keqardhje për humbjen e një lojtari të cilësuar si perspektivë e madhe. Nga ana tjetër, ajo që vlen të theksohet në këtë rast është se Osmani tashmë ka hyrë në skenën kombëtare me Kosovën A, duke nisur rrugëtimin e tij edhe në garat ndërkombëtare.
Botuar fillimisht në Koha.net






