Belgjika do të luajë të hënën (ora 21:00) ndeshjen e parë të kampanjës në Kupën e Botës 2026 kundër Egjiptit, me objektivin për të nisur me rezultat maksimal dhe për të treguar se është favorite e Grupit G. Takimi do të zhvillohet në Seattle, ndërsa të dyja ekipet hyjnë në fushë me synime të qarta: belgët për ta kontrolluar ritmin, egjiptianët për të gjetur hapësira përmes kundërsulmeve.
Belgjika mbërrin në këtë ndeshje si njëra prej skuadrave që synon të shkojë sa më larg në turne, edhe pse disa nga emrat më të njohur të brezit të artë nuk janë më pjesë e listës së përzgjedhësit. Skuadra vjen me motiv shtesë edhe nga fakti se në vitin 2018 Belgjika arriti vendin e tretë, rezultat që mbetet edhe sot shifra më e mirë në historinë e saj në Kupën e Botës.
Në krye të planit të saj janë ende figurat kryesore, ku Kevin De Bruyne, Romelu Lukaku dhe Thibaut Courtois mbajnë peshën kryesore për ekipin. Megjithatë, përzgjedhësi Rudi Garcia ka nisur tranzicionin gradual dhe ka përfshirë në skuadër lojtarë si Jeremy Doku, Amadou Onana dhe Charles De Ketelaeren. Kjo pritet të ndikojë në mënyrën si Belgjika do të ndërtojë aksionet, sidomos në pjesën ofensive, ku pritet presion konstant dhe kërkim për dominim me posedim.
Belgjika kërkon të tregojë forcën që në start ndaj Egjiptit
Në anën tjetër, Egjipti vjen me vetëbesim pas ndeshjes së fundit direkte mes dy përfaqësueseve, të cilën e ka fituar. Por për “Faraonët”, ky kampionat ka një histori më të vështirë në pjesën e rezultateve: Egjipti do të luajë në Kupën e Botës për herën e katërt, ndërsa ende nuk ka arritur fitoren e parë në turneun final. Në turnetë e mëparshme, Egjipti nuk ka fituar në shtatë ndeshje, çka e bën ndeshjen ndaj Belgjikës një moment ku çdo pikë dhe çdo gol mund të ndryshojnë rrjedhën e rrugëtimit.
Për këtë arsye, mënyra e lojës së Egjiptit pritet të jetë më e kujdesshme. Përfaqësuesja afrikane, e kthyer prapa, do të synojë të luajë në kundërsulme me sulmuesit Mohamed Salah dhe Omar Marmoush. Slahi dhe Marmoush janë në qendër të planeve për të shfrytëzuar rastet kur Belgjika të avancojë në sulm. Kjo qasje pritet të jetë edhe përgjigjja ndaj pritshmërisë që belgët të dominojnë me posedim.
Ndeshja e së hënës ka edhe një dimension më të veçantë për shkak të lidhjeve mes personazheve kryesore. Ajo do ta ribashkojë Salahun me Rudi Garcian, pasi të dy kanë punuar së bashku në Romë, përpara se egjiptiani të kalonte te Liverpooli. Garcia, nga ana tjetër, ka theksuar se është i vetëdijshëm për rrezikun që vjen nga ish-futbollisti i tij, duke nënvizuar rëndësinë e respektit për kundërshtarët në një turne si Kupa e Botës.
Trajneri i Belgjikës ka folur për FIFA-n, duke thënë se “ne kemi respekt shumë të madh për të tria përfaqësueset e grupit”. Ai ka argumentuar se “për këtë është Kupa e Botës” dhe se Belgjika e njeh Egjiptin, si “njërën prej përfaqësueseve më të mira në Afrikë”. Po ashtu Garcia ka treguar se i njeh të gjitha për Salahun, pasi ka qenë trajner i tij te Roma. Ndërkohë, Salah vazhdon të shihet si lojtari kyç i Egjiptit, me objektiv për të lënë gjurmë në turne, sidomos pas lëndimit që ia kishte limituar ndikimin në Kupën e Botës 2018.
Edhe Garcia ka përcaktuar objektivat e ekipit të tij: t’i japë rëndësi qasjes së ndeshjes me kundërshtarë të fortë, të fitojë dhe të përfundojë i pari në grup, ndërsa më pas të shohë se sa larg mund të shkojë në turne. Nga ana sportive, kjo ndeshje pritet të jetë një test i rëndësishëm për të dyja skuadrat: Belgjika do të kërkojë kontroll dhe gola përmes presionit në posedim, ndërsa Egjipti do të kërkojë momentin e duhur për të kthyer lojën në kundërsulm dhe për të arritur fitoren e parë në fazën finale të Kupës së Botës.
Botuar fillimisht në Koha.net







