Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, në cilësinë e Zv.Presidentit të UEFA-s, mori pjesë në Asamblenë e Jashtëzakonshme Zgjedhore të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC). Në këtë event, Giovanni Malagò u zgjodh Presidenti i ri i futbollit italian, duke marrë drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme në futbollin europian.
Gjatë punimeve të asamblesë, Presidenti Duka mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të UEFA-s. Në mesazhin e tij, ai përcolli mbështetjen e institucionit më të lartë të futbollit europian për FIGC-në dhe për vetë futbollin italian, ndërsa theksoi se UEFA po e ndjek nga afër zhvillimin e futbollit në Itali.
“Është një nder i madh t’i përcjell përshëndetjet e UEFA-s kësaj asambleje të jashtëzakonshme. Ju përcjell përshëndetjet nga Presidenti Ceferin. Ne po ndjekim nga afër zhvillimet në futbollin italian dhe konfirmojmë mbështetjen tonë të plotë për FIGC-në, një nga federatat më me ndikim dhe më të shquara në futbollin evropian”, tha Duka gjatë fjalës së tij.
Në të njëjtën kohë, Presidenti Duka shprehu mirënjohje për ish-presidentin e FIGC-së, Gabriele Gravina. Ai vlerësoi punën, përkushtimin dhe përgjegjshmërinë e treguar nga Gravina gjatë viteve të fundit në drejtimin e futbollit italian. Sipas fjalës së Dukës, rezultatet e arritura nga Italia në të gjitha nivelet janë dëshmi e forcës dhe cilësisë së sistemit të futbollit në vend.
Duka uron Malagò dhe bën thirrje për investime, veçanërisht për Euro 2032
Presidenti Duka ndaloi edhe te roli i Gabriele Gravinës, duke e përshkruar atë jo vetëm si President të FIGC-së dhe Zv.President të UEFA-s, por edhe si një mik me të cilin ka ndarë vite të rëndësishme në futbollin evropian. Ai e falënderoi Gravina për punën, pasionin dhe ekspertizën, si dhe për mënyrën se si e udhëhoqi federatën në kohë të vështira. Duka theksoi se dorëheqja e Gravinës tregon përkushtimin e tij ndaj futbollit italian dhe është një vendim që meriton respekt, pasi marrja e përgjegjësisë në momente të vështira kërkon guxim.
Në vazhdim, Duka nënvizoi se futbolli italian ka ndërtuar themele të forta për të ardhmen, falë investimeve në zhvillimin e talenteve dhe në sektorin e të rinjve. Ai vlerësoi edhe sukseset e përfaqësueseve italiane në vitet e fundit, duke përfshirë disa arritje të spikatura që, sipas tij, nuk janë rezultat i rastësisë. Duka përmendi se Italia, pavarësisht zhgënjimeve, ka arritur të prodhojë rezultate pozitive në fusha të ndryshme.
Duke folur për sfidat, Presidenti Duka e quajti “dështim të parakuesh” mos-kualifikimin për Kupën e Botës, duke thënë se kjo zhgënjen prek të gjithë. Ai shtoi se kjo ka dëmtuar futbollin italian, ka dëmtuar Gabriele-n dhe ka prekur të gjithë ata që ndjekin futbollin. Sipas fjalës së tij, një humbje në një ndeshje pa meritë, një karton i kuq dhe një penallti e humbur mund të eklipsojnë vite të tëra pune dhe të ndikojnë te opinioni publik. Megjithatë, Duka theksoi nevojën për të parë përtej një episodi të vetëm dhe paralajmëroi se do të ishte gabim të ndaleshim vetëm te rezultati i ndeshjeve për play-off.
Ai kujtoi se Italia fitoi Kampionatin Evropian në vitin 2021, ndërsa arriti një gjysmëfinale historike për ekipin kombëtar të vajzave në vitin 2025. Presidenti Duka përmendi gjithashtu sukseset e skuadrave kombëtare të të rinjve në kompeticionet ndërkombëtare. “Këto nuk janë rezultate të rastësishme. Ato tregojnë se futbolli italian prodhon talente, puna e bërë në sektorin e të rinjve është e shkëlqyer dhe themelet për të ardhmen janë të forta”, tha ai.
Në mbyllje të fjalës, Presidenti Duka uroi dy kandidatët për gatishmërinë e tyre për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të futbollit italian. Ai siguroi se UEFA do të vazhdojë të mbështesë FIGC-në në projektet dhe objektivat e saj, duke vënë theksin te ideja se një FIGC e fortë nënkupton një futboll europian më të fortë. “Sot është një ditë e rëndësishme për FIGC-në dhe për futbollin italian. Kjo asamble do të zgjedhë presidentin që do të udhëheqë futbollin italian”, u shpreh Duka.
Presidenti Duka ndaloi edhe te organizimi i Kampionatit Europian 2032. Ai theksoi rëndësinë e investimeve në stadiume dhe infrastrukturë sportive, që kjo ngjarje e madhe të lërë një trashëgimi të qëndrueshme për brezat e ardhshëm. “Nuk mund të mos ndalem edhe te Kampionati Europian 2032, me Italinë që pret një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive në botë. U bëj thirrje institucioneve kombëtare, rajonale dhe lokale që duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi të jashtëzakonshme. Është koha për të investuar në stadiume dhe infrastrukturë për t’i lënë trashëgimi brezave të ardhshëm strukturat e duhura sportive. Jam i bindur se futbolli italian do të dijë ta përballojë me sukses edhe këtë sfidë”, shtoi ai.
Pas përfundimit të asamblesë, Giovanni Malagò u zgjodh Presidenti i ri i Federatës Italiane të Futbollit. Menjëherë pas procesit zgjedhor, Presidenti Armand Duka u takua me presidentin e ri Malagò, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe një mandat të suksesshëm në krye të FIGC-së.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres








