Debati në botën e futbollit është ndezur sërish te i njëjti emër: Lamine Yamal. Kur flitet për talentin më të madh të brezit të ri, shumë vëmendje shkon te krahasimet me yjet më të mëdhenj të historisë, sidomos me Lionel Messin. Por përtej zhurmës, atë që po bën spanjolli i ri me fanellën e Barcelonës po e kthen gjithnjë e më shumë në një “pikë reference” për të ardhmen e futbollit.
Gjatë një eventi promovues të Kupës së Botës, Lionel Messi u pyet për të dhënë një emër: kush është futbollisti më i mirë i gjeneratës së re? Argjentinasi u përgjigj shkurt, por pa lënë vend për interpretime. “Lamine. Pa asnjë dyshim. Për mua, ai është më i miri”. Vetëm pak ditë më vonë, Yamal u përfshi në një intervistë për CBS, ku u pyet nëse Spanja do ta fitonte Kupën e Botës 2026. Ai iu përgjigj me qetësi dhe një fjali të vetme: “Po”.
Yamal po e çon të ardhmen e futbollit drejt Kupës së Botës 2026
Në moshën vetëm 18-vjeçare, Lamine Yamal tashmë ka arritur gjëra që shumica e futbollistëve i ëndërrojnë gjatë gjithë karrierës. Ai ka luajtur në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ka fituar Kampionatin Evropian me Spanjën dhe mban fanellën e Barcelonës me numrin 10. Ky numër për gati 15 vite ishte simbol i Lionel Messit, duke e bërë faktin edhe më domethënës për trajektoren e të riut.
Krahasimet me Messin janë të pashmangshme, sepse ngjashmëritë duken qartë. Të dy janë mëngjarashë, zotërojnë driblime të jashtëzakonshme dhe kanë një inteligjencë futbollistike që i bën veprimet e vështira të duken më të thjeshta. Madje, statistikat tregojnë se Yamal ka pasur një ndikim të madh edhe në moshë më të re. Në moshën 18-vjeçare, ai numëron 151 ndeshje me Barcelonën. Për krahasim, kur Messi festoi ditëlindjen e tij të 19-të në vitin 2006, kishte vetëm 41 paraqitje me ekipin e parë.
Për këtë temë kanë folur edhe emra të mëdhenj nga futbolli. Ronaldinho, i cili luajti përkrah Messit në fillimet e tij te Barcelona, beson se tani është “radha” e Yamalit. “Messi dhe unë bëmë histori. Tani është radha e Lamine Yamalit. Ajo që ka treguar në këtë moshë është e jashtëzakonshme”, deklaroi braziliani. Ndërsa Rio Ferdinand, ish-mbrojtës i Manchester Unitedit, e ngriti më tej krahasimin: “Po, ai është më i mirë se Messi dhe Cristiano Ronaldo në të njëjtën moshë. Potenciali i tij mund të jetë edhe më i lartë. Askush nuk ka bërë atë që po bën ai në moshën 17-vjeçare”.
Megjithatë, vetë Yamal duket i fokusuar te vetja dhe tek rruga e tij, duke mos e kthyer veten në “hije” të askujt. Ai është shprehur qartë se nuk do të jetë vetëm një krahasim me Messin. “Messi është futbollisti më i madh në histori. Ai është një legjendë dhe nuk mendoj se jam i denjë të krahasohem me të”, ka thënë talenti spanjoll. “Nuk dua të jem Messi. Dua të ndjek rrugën time”. Filozofia e tij shkon edhe për Cristiano Ronaldon: “Nuk është mirë të krahasohesh me askënd. Cristiano arriti gjithçka duke qenë vetvetja. Edhe unë dua të njihem për atë që jam, Lamine Yamal”.
Në të njëjtën linjë, Yamal ka folur edhe për mënyrën si e përballon presionin. “Unë nuk mendoj për Topin e Artë. Dua të kënaqem duke luajtur dhe të fitoj me Barcelonën dhe kombëtaren”. Ai shton se, sipas tij, presioni nuk është diçka që duhet t’i rëndojë mendjen një lojtari: “Presioni nuk ekziston. Është vetëm një justifikim. Nëse mendon të argëtohesh dhe të shijosh futbollin, nuk ka presion”. Edhe ish-trajneri i tij në akademinë e Barcelonës, Inocente Diaz, ka bërë parashikim të madh, duke thënë se “brenda gjashtë vitesh do ta fitojë Topin e Artë”.
Një detaj tjetër që tregon qasjen e tij është zgjedhja e idhullit. Ndryshe nga pritshmëritë që shpesh shkojnë te emra si Arjen Robben apo Franck Ribery, Yamal ka treguar se në fëmijëri studionte lojën e Luka Modricit. “Më pëlqente mënyra se si Modric pasonte me pjesën e jashtme të këmbës. Më dukej më interesante se driblimi, sepse lidhet më shumë me mendjen dhe vizionin e lojës”, është shprehur ai. Pikërisht ky influencim duket se e mban të qëndrueshëm në zhvillimin e tij: edhe pse luan si anësor, gradualisht po merr elemente që e afrojnë me rolin e organizatorit dhe me hapësirat pranë qendrës. Disa trajnerë që kanë punuar me të besojnë se në të ardhmen Yamal mund të luajë edhe si “9 i rremë”, rol që historikisht e bëri legjendar Lionel Messi.
Ndërkohë, Spanja e ka ndërtuar ëndrrën e Kupës së Botës 2026 me një figurë qendrore: Lamine Yamal, një futbollist që ende nuk i ka mbushur 19 vjet. Ai e ka bërë të qartë objektivin e tij në mënyrë personale dhe konkrete: “Gjithmonë e kam imagjinuar veten duke luajtur në Kupën e Botës dhe duke parë nënën time në tribunë. Shpresoj ta fitoj atë”. Me ritmin që po shfaq në fushë dhe me hapat që ka bërë tashmë në klube e kombëtare, shumëkush e sheh futbollin si në prag të një epoke të re, ku emri i tij po bëhet gjithnjë e më i lidhur me arritjet më të mëdha.
Botuar fillimisht në Telegrafi






