Rritja e çmimeve në treg këtë vit ka goditur drejtpërdrejt edhe tregun e kurbaneve. Në Kosovë, kostoja për therjen e një kurbani ka arritur deri në 400 euro, duke e bërë më të shtrenjtë obligimin gjatë festës së Kurban Bajramit si për familjet, ashtu edhe për donatorët.
Sipas informacioneve që qarkullojnë nga terreni, fermerët theksojnë se shtrenjtimi i ushqimit për kafshë ka rritur ndjeshëm shpenzimet e mbajtjes së bagëtive. Në të njëjtën linjë, organizatat humanitare paralajmërojnë se kjo situatë po e vështirëson edhe më shumë mundësinë e familjeve dhe donatorëve që ta realizojnë kurbanin gjatë Bajramit, në një kohë kur edhe çmimet e produkteve bazë kanë shënuar rritje.
Bashkësia Islami e Kosovës ka bërë me dije se sivjet ka rritur çmimin për therjen e një kurbani në Kosovë në 200 euro. Kjo shifër është më e lartë se viti i kaluar, kur çmimi ishte 180 euro.
Çmimi i kurbanit këtë vit shkon deri në 400 euro
Fermeri Adhurim Berisha, i cili flet për KosovaPress, thotë se çmimet në fermën e tij luhaten sipas llojit të kafshës, duke filluar nga 220 euro dhe duke u ngritur deri në 400 euro. Sipas tij, në këtë çmim përfshihet edhe therja e kurbanit. Ai thekson se ngritja ekziston, por nuk e sheh si shumë të madhe në raport me vitin e kaluar, ndërsa si arsye kryesore për rritjen i përmend çmimet e shtrenjtuara të ushqimeve dhe produkteve bazë për delet.
Berisha jep edhe shembuj konkretë të rritjes së shpenzimeve në fermë. Ai thotë se, këtë vit, u shkua deri në 5 euro për një dëng të sanës, ndërsa vitin e kaluar çmimi ka qenë një euro e gjysmë deri në dy euro. Përveç sanës, ai përmend edhe rritjen e çmimit të drithnave dhe thekson se, duke qenë se “gjithçka u shtrenjtua”, edhe kostoja e kurbanit duhej të reflektonte këtë rritje.
Kur bëhet fjalë për çmimet sipas kafshës, Berisha shpjegon se çmimi nis nga 220 euro për delet, me varësi brenda kategorisë: “220 euro fillojnë delet deri 250, 270 përafërsisht”, ndërsa për dashin, çmimi shkon në intervalin 300-400 euro.
Ndërkohë, organizata humanitare “Islamic Relief Kosova” njofton se për 26 vite me radhë realizon shpërndarjen e mishit të kurbanit për familjet me jetimë dhe familjet në asistencë sociale. Menaxheri i departamentit për ngritjen e fondeve lokale në këtë organizatë, Lavdim Gashi, thotë se rritja e çmimit këtë vit ka ardhur si pasojë e rritjes së përgjithshme të çmimeve në treg dhe kërkesës së lartë për kafshë.
Gashi thekson se rritja e çmimeve në treg ka ndikuar edhe te kafshët e kurbanit. Ai vë në dukje se kërkesa është e lartë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit, duke e lidhur edhe me faktin se në çdo Bajram çmimet kanë shënuar tendencë rritëse. Sipas tij, kjo situatë nuk varet nga organizatat, sepse është e lidhur me furnitorët. Megjithatë, organizata ka synuar të ofrojë mundësi për donatorët, duke theksuar se edhe shuma prej 200 euro, megjithëse duket e konsiderueshme, nuk konsiderohet e vogël në këtë kontekst.
Gashi shpjegon edhe hapat që organizata ndjek për identifikimin e familjeve përfituese dhe shpërndarjen e mishit. Ai thotë se “Islamic Relief Kosova” ka një departament të veçantë për kujdes ndaj jetimëve, ku punonjëse identifikojnë rastet kur familjet kërkojnë ndihmë. Sipas tij, bëhet një verifikim fillimisht përmes vizitës në secilën familje, më pas rastet listohen në databazën e organizatës në bazë të nevojave. Nëse konsiderohet se një familje është në vështirësi financiare dhe ka fëmijë jetimë, ajo futet në listën e pritjes. Pastaj, çdo projekt i realizuar gjatë vitit, këto familje i ka përfituese direkte.
Pas therjes së kurbaneve, mishi i përgatitur për shpërndarje ngrinhet. Organizata, thotë Gashi, realizon shpërndarjen “qytet për qytet”, duke caktuar lokacione të përcaktuara. Familjet kontaktohen përmes telefonit, ku u bëhet me dije lokacioni dhe ora e marrjes së mishit të kurbanit.
Ai shton se organizata aplikon kritere strikte për furnitorët dhe kontrollin e mishit para shpërndarjes. Përpara festës, disa muaj para Kurban Bajramit, bëhet thirrje publike për furnitorë për kurbane. Gashi thotë se ekzistojnë kushte dhe kritere që duhet të plotësohen nga thertoret, në përputhje me ligjet vendore. Kjo nënkupton që kafshët duhet të kenë dokumentacion të rregulluar dhe dëshmi se janë në gjendje të mirë shëndetësore. Po ashtu, thertorja duhet të jetë e licencuar dhe transporti deri te vendi i shpërndarjes duhet të kryhet me kushte të parashikuara, ku një element i rëndësishëm është që mishi të jetë i ngrirë dhe të shpërndahet me mjete transporti adekuate. Gashi thekson se, për 26 vite, organizata nuk ka pasur probleme në proceset e shpërndarjes së mishit të kurbanit për familjet me fëmijë jetimë.
Në fund, kujtohet se therja e kurbanit është një nga ritualet më të rëndësishme fetare në Islam dhe kryhet gjatë festës së Kurban Bajramit, si shenjë bindjeje dhe sakrifice.
Botuar fillimisht në Bota Sot



