Kanë përfunduar gjashtë ndeshjet e ditës së sotme në Kupën e Shqipërisë, ku spektakli dhe golat kanë qenë në qendër të vëmendjes. Në total janë shënuar 25 gola në këto takime, ndërsa disa skuadra kanë dhuruar fitore me shifra të thella, duke e bërë raundin e sotëm edhe më interesant për tifozët.
Vëmendjen kryesore e mori Pogradeci, që mposhti bindshëm Kukësin me rezultatin 5-1. Për trajnerin Dritan Mehmeti, ky ka qenë një debutim ëndrrash në stolin e skuadrës së liqenorëve, pasi ekipi i tij e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe e gjeti disa herë rrugën e rrjetës. Chinëendu u kthye në autorin kryesor të suksesit, duke realizuar tre gola në minutat 2, 54 dhe 66. Ndërsa Kambato dhe Preknicaj plotësuan totalin e fituesve. Për Kukësin, golin e vetëm e shënoi Korçari.
Një tjetër shfaqje e vërtetë në fushë erdhi nga Iliria, e cila shkatërroi Luftëtarin me rezultat 5-0. Ndeshja u zgjidh shpejt në favor të vendasve, falë golave të shpeshtë dhe kontrollit të lojës. Koshie ishte lojtari më përcaktues, duke realizuar dy herë në 3’ dhe 38’. Më pas, Çuçka i dha tjetër goditje Ilirisë në 70’, ndërsa Adeniyi vulosi shifrat përfundimtare në 77’. Një fitore e thellë që e ngre moralin për skuadrën dhe e lë Luftëtarin të zhgënjyer.
Golat e shumtë dominojnë Kupën e Shqipërisë në 6 ndeshje
Flamurtari, ashtu si dy skuadrat e para, regjistroi një fitore bindëse, këtë herë ndaj Butrintit me rezultatin 6-1. Lushaj ishte ndër protagonistët kryesorë, me një dygolësh që i dha ritëm skuadrës dhe e bëri diferencën të dukshme. Pjesa e dytë solli gjithashtu golat që e kthyen takimin në një “festë” për tifozët. Në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Gjata në 9’, Kemeth në 74’, Berisha në 83’ dhe Ramani në 87’, ndërsa Lushaj shënoi në 68’ dhe 78’. Për Butrintin, golin e vetëm e shënoi Culli në 85’.
Edhe Besa arriti të siguronte një fitore në ndeshjen e saj, duke triumfuar 4-1 ndaj Korabit. Takimi u zhbllokua nga Danaj në 38’, ndërsa Prengaj dyfishoi shifrat për Besën në 44’. Në pjesën e dytë, Oliveira e çoi rezultatin në 48’ dhe më pas Zekolli vulosi fitoren me golin e katërt në 79’. Për Korabin, golin e vetëm e realizoi Reçi në 72’, duke i dhënë një sinjal skuadrës së tij, por pa arritur të ndryshonte rrjedhën e takimit.
Në dy çiftet e tjera, Kastrioti fitoi 1-0 ndaj Eagle Football falë golit të vetëm të Sulajt. Ndërkohë, Bylisi e mbylli ndeshjen ndaj Besëlidhjes me rezultatin 2-0, me realizimet e Oforit në 4’ dhe të Pedro Vierës në 88’. Kështu, dita e sotme u karakterizua nga rezultate të thella dhe nga skuadra që arritën të gjejnë rrugën e rrjetës me radhë, duke e mbajtur Kupën e Shqipërisë në fokus të interesit.
Rezultatet e plota: Besa 4-1 Korabi (Danaj 38′, Prengaj 44′, Oliveira 48′, Zekolli 79’ / Reçi 72′). Iliria 5-0 Luftëtari (Koshie 3′, 38′, Çuçka 70′, Adeniyi 77′). Pogradeci 5-1 Kukësi (Chinwendu 2′, 54′, 66′, Kambato 37′, Preknicaj 83′ / Korçari 43′). Flamurtari 6-1 Butrinti (Gjata 9′, Lushaj 68′, 78′, Kemeth 74′, Berisha 83′, Ramani 87’ / Culli 85′). Bylis 2-0 Besëlidhja (Ofori 4′, Pedro Viera 88′). Kastrioti 1-0 Eagle Football (Sulaj).
Botuar fillimisht në Sport Ekspres








