Shtimi në peshë gjatë moshës madhore mund ta rrisë rrezikun për t’u prekur nga kanceri deri në pesë herë, tregon një studim i ri i realizuar në Suedi. Analiza u prezantua në “European Congress on Obesity” në Stamboll dhe rezultatet janë raportuar nga The Guardian.
Hulumtimi vë në fokus një çështje që deri më tani ka qenë më pak e qartë: jo vetëm sa lidhet obeziteti me kancerin, por edhe si ndikon sasia e kilogramëve të shtuar dhe koha kur ndodh ky shtim gjatë jetës. Studiuesit theksojnë se nuk ekziston një “moshë e sigurt” ku shtimi i tepërt në peshë të mos shoqërohet me pasoja për shëndetin.
Dihet se obeziteti lidhet me të paktën 13 lloje të ndryshme kanceri, ndërsa ka dyshime për një lidhje edhe me tetë të tjera. Megjithatë, deri tani studiuesit nuk kishin të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar më saktë ndikimin e peshës së shtuar në periudha të ndryshme të moshës, si dhe rolin e intensitetit të shtimit në rrezikun final të sëmundjes.
Për ta analizuar këtë, një ekip shkencëtarësh nga Universiteti Lund shqyrtoi të dhënat e peshës dhe të rasteve të kancerit për më shumë se 250 mijë burra dhe rreth 380 mijë gra. Pesha e pjesëmarrësve u mat mesatarisht katër herë, duke nisur nga mosha 17 vjeç deri në 60 vjeç. Ndërkohë, incidenca e kancerit u ndoq deri në vitin 2023.
Edhe rritja e kilogramëve rrit rrezikun e kancerit
Rezultatet treguan se si pesha e tepërt në moshë të re, ashtu edhe shtimi i kilogramëve gjatë viteve të mëvonshme, shoqërohen me rritje të rrezikut për zhvillimin e kancerit. Studiuesit argumentojnë se lidhja është proporcionale: sa më e madhe të jetë pesha fillestare dhe sa më i madh shtimi gjatë viteve, aq më i lartë rezulton rreziku.
Autori kryesor i studimit, Anton Nilsson, ka theksuar pikërisht këtë lidhje: “Sa më e tepërt që ishte pesha fillestare dhe sa më i madh shtimi në peshë, aq më i lartë ishte rreziku për kancer”. Kjo do të thotë se rreziku nuk vjen vetëm nga fakti që dikush bëhet obez, por ndikohet edhe nga niveli dhe shtrirja kohore e shtimit.
Studimi dha shifra të qarta për lloje të veçanta kanceri. Burrat që u bënë obezë para moshës 30-vjeçare kishin pesë herë më shumë rrezik për kancer të mëlçisë. Për kancerin e pankreasit dhe veshkave, rreziku u vlerësua dy herë më i lartë. Ndërkohë, për kancerin e zorrës së trashë, u raportua 58 për qind më shumë rrezik.
Për gratë, rezultatet treguan ndikime po ashtu të ndjeshme. Ato që zhvilluan obezitet para moshës 30-vjeçare kishin katër herë e gjysmë më shumë rrezik për kancer të mitrës. Për kancerin e pankreasit, rreziku ishte 67 për qind më i lartë, ndërsa për kancerin e veshkave rreziku u raportua si dyfish. Përveç këtyre, studimi përmend edhe rritjen e rrezikut për meningiomë, një tumor që prek trurin dhe membranat përreth tij, ku u shfaq 76 për qind më shumë rrezik. Në këtë mënyrë, të dhënat tregojnë se obeziteti i hershëm mund të lidhet me disa nga format më të përhapura dhe më serioze të kancerit.
Botuar fillimisht në Koha.net






