Ilir Alliu, ish-lojtar i Kombëtares, ka folur për ndeshjen dhe për momentin që ndryshoi gjithçka, teksa ishte i ftuar në emisionin “Mega Sport” që transmetohet në A2 CNN. Për të, analiza nuk ndalet vetëm te ajo që ndodhi në fushë, por shkon edhe te detajet taktike që çuan te kthesa e rezultatit.
Alliu ka nisur duke vënë në dukje mënyrën si ekipi i tij e nisi takimin. “E kemi nisur ndeshjen në mënyrë fantastike, vendosja ishte shumë e mirë. Për 20 minuta para kartonit të kuq e kemi dominuar ndeshjen, nga të gjitha anët. Ishim vërtet shumë mirë”, ka thënë ai. Sipas tij, dominimi nuk ishte i rastësishëm, por rridhte nga mënyra si skuadra kontrollonte lojën si në fazën e ndërtimit, ashtu edhe në presionin ndaj kundërshtarit.
Megjithatë, sipas Alliu, gjithçka u prish kur ndodhi gabimi që solli kartonin e kuq dhe e ktheu ndeshjen. Ai e cilëson këtë si “gabim fatal”, duke e parë si pikën ku ekipi humbi ritmin dhe besimin. “Derisa vjen gabimi fatal i Etrit Berishës dhe ndeshja kthehet”, ka vijuar ish-lojtari, duke e theksuar se kthesa nuk erdhi vetëm nga kundërshtari, por nga ajo që ndodhi brenda skuadrës.
Maran duhej ta kuptonte: ndeshja fitohet në dhomën e zhveshjes
Alliu ka përmendur edhe një ide që e lidh me përgatitjen. “Një ndeshje fitohet në dhomën e zhveshjes, për mua ne e kemi humbur aty, nuk është fat. Ne të gjithë e dimë që Etrit Berisha është zero, me këmbë është zero, nuk e ka fare lojën me këmbë”. Në këtë pjesë të analizës, ai thekson se problemi, për të, nuk është vetëm momenti i gafës, por mënyra si u zgjodh roli i portierit në ndërtimin e lojës.
“Çfarë ndodh? Ne luajmë poshtë, me pasime dhe me topin që vjen nga portieri. Është shumë mirë ta bësh, por ideja është që këtë e bën ose me një portier tjetër, pra nuk e nis me Etrit Berishën ose zgjedh një mënyrë loje tjetër, i bie topi para nëse ke Etrit Berishën”, ka shpjeguar Alliu. Ai e ka vendosur theksin te zgjedhja taktike: nëse portieri nuk është në gjendje të mbajë lojën me këmbë në mënyrën e duhur, atëherë mënyra e daljes nga prapavija duhet të ndryshojë.
Ish-lojtari ka argumentuar se kishte shenja pasigurie pikërisht në momentet kur Berisha merrte topin. “Kishte 2-3 momente që Berisha mori topin dhe kishte pasiguri para asaj gafe. U ngarkua njëherë, dy herë, tre herë, shumë në pak minuta në lojën që Etrit Berisha nuk e ka, derisa na la në baltë”. Sipas tij, gabimi erdhi si pasojë e një modeli të njëjtë që u përsërit disa herë brenda një periudhe të shkurtër, deri në momentin fatal.
Alliu ka vijuar më pas me përshkrimin e asaj që ndodhi në vazhdim të gafës. “E la topin në zonë dhe na erdhi goditja. Kjo është e gjitha, Berisha nuk e ka pasimin në një zonë të tillë, për të gjetur në vertikale lojtarin e vet, është një portier që maksimumi i tij mund të pasojë në anësore pasi aty ka një zonë rreziku më të vogël”, ka thënë ai. Me këtë, ai synon ta mbyllë analizën te një lidhje e drejtpërdrejtë mes aftësisë së portierit, zonës ku dërgohet topi dhe pasojave që vijnë kur zona e zgjedhur është më e rrezikshme.
Botuar fillimisht në Sport Ekspres






