Masakra e Mejës, një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë, po i afrohet një epilogu gjyqësor. Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë dritën e gjelbër që procesi për rastin të zhvillohet në mungesë, për 53 të akuzuar, kryesisht ish-pjesëtarë të strukturave ushtarake dhe të sigurisë serbe, të ngarkuar për vrasjen e qindra civilëve shqiptarë dhe dëbimin e popullsisë.
Krimet e prillit të vitit 1999 në Mejë dhe në fshatrat përreth do të rikthehen në sallën e gjyqit. Në seancën fillestare të përsëritur, banka e të akuzuarve mbeti tërësisht e zbrazët, duke e bërë të pamundur përballjen e drejtpërdrejtë të trupit gjykues me ata ndaj të cilëve rëndojnë akuzat. Edhe pse bëhet fjalë për një nga masakrat më makabre në historinë e luftës në Kosovë, procedura vazhdon sipas vendimit të gjykatës.
Në këtë seancë, trupi gjykues e ka pranuar kërkesën për vazhdimin e procesit pa praninë e të akuzuarve. Vendimi vjen pas kërkesës së Apelit, i cili kishte kërkuar verifikimin e hapave që janë ndërmarrë për sigurimin e pranisë së të pandehurve. Në të njëjtën kohë, gjykata ka vlerësuar se kushtet ligjore për një gjykim në mungesë janë plotësuar.
Gjykimi në mungesë për Mejën, procesi vazhdon pa të akuzuarit
Prokuroria e Krimeve Lufte ka qëndruar në qëndrimin e saj lidhur me plotësimin e kushteve për ngritjen e aktakuzës në mungesë. Ilir Morina, prokuror për Krime Lufte në PSRK, ka deklaruar se qëndrimi i prokurorisë mbështetet në elaborimin e dhënë në seancën e kaluar dhe se, sipas vlerësimit të tyre, janë plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale i referohet një strukture të përbashkët kriminale serbe, duke treguar se të akuzuarit, kryesisht ish-pjesëtarë të forcave ushtarake dhe të sigurisë, dyshohet se kanë marrë pjesë në organizimin dhe zbatimin e operacionit që solli vrasjet dhe dëbimet. Në fshatin Mejë, vetëm për viktimat civile, pretendohet se janë vrarë 270 persona të paarmatosur. Ndërkohë, qindra të tjerë u ekzekutuan në fshatrat përreth, ku pasojat e dhunës prekën drejtpërdrejt popullsinë shqiptare.
Për të fshehur gjurmët e krimit, trupat e shumë prej viktimave janë transportuar në Serbi. Më pas, vite më vonë, ato u gjetën në varrezat masive në Batajnicë. Këto rrethana kanë rënduar procedurën hetimore dhe gjyqësore, teksa drejtësia synon të dokumentojë përgjegjësinë e atyre që dyshohet se kanë marrë pjesë në organizimin dhe zbatimin e operacionit gjatë prillit të vitit 1999.
Gjyqtarja e rastit, Violeta Namani-Hajra, ka bërë të ditur se pavarësisht fletarrestimeve, prania e të akuzuarve nuk u arrit. Ajo ka sqaruar se në rastin konkret janë bërë përpjekje të arsyeshme për të njoftuar të akuzuarit për shqyrtimin fillestar dhe për të siguruar praninë e tyre. Sipas saj, Anaj Gjykata, konform nenit 303 paragrafi 4 i KPP-së, ka marrë aktvendim për vazhdimin e gjykimit në mungesë ndaj të pandehurve të lartëcekur, pasi gjykata ka vlerësuar kushtet ligjore nga neni 303 paragrafët 7 dhe 8 të Kodit të procedurës penale.
Pas këtij vendimi, mbrojtjes i janë lënë 30 ditë afat për kundërshtimin e provave. Megjithatë, edhe pse procedura po ecën, plagët e krimit mbeten ende të hapura për familjarët e viktimave. Për më tepër se dy dekada, ankthi dhe pritja për drejtësi vazhdojnë, ndërsa 13 persona nga kjo masakër ende rezultojnë të pagjetur. Vazhdimi i procesit në mungesë mban ndezur shpresën se edhe pas kohësh të gjata, përgjegjësit e dyshuar do të përballen me procedurën gjyqësore për krimet e shkaktuara në Mejë dhe fshatrat përreth.
Botuar fillimisht në Bota Sot





