Libri “Struktura e mendimit – Reflektime mbi arkitekturën dhe ndërtimin”, i autorit Bardhyl Halitjaha, ka nisur një rrugëtim promovimi në disa qytete të Kosovës, duke e shndërruar prezantimin e një botimi të ri në një seri diskutimesh mbi profesionin. Aktivitetet u organizuan në tri ndalesa: Në Prishtinë, Suharekë dhe Prizren, ku u mblodhën profesionistë të arkitekturës dhe ndërtimit, përfaqësues të botës akademike, lexues, kolegë dhe dashamirës të librit.
Rrugëtimi i promovimeve filloi më 10 gusht në Prishtinë, vijoi më 11 gusht në Suharekë dhe u mbyll më 12 gusht Në Prizren. Tri aktivitetet nuk u kufizuan vetëm në prezantimin e përmbajtjes së librit, por u shndërruan në hapësira ku u fol për mënyrën e projektimit dhe ndërtimit, për përvojën praktike në terren dhe për përgjegjësinë e profesionistit ndaj veprës që ai krijon dhe hapësirës që ndërton.
Një nga pjesët qendrore të bisedës në Prishtinë ishte trajtimi i librit nga këndvështrime profesionale. Aktivitetin e moderoi Dr. Sc. Fjollë N. Caka, ndërsa redaktorja e veprës, pedagogia Loreta Schillock, iu drejtua të pranishmëve përmes një lidhjeje direkte nga Shtutgarti i Gjermanisë. Schillock shpjegoi mënyrën e ndërtimit të librit dhe mënyrën se si dimensioni profesional bashkëvepron me atë filozofik.
Sipas Schillock, libri është një tekst që kërkon të lexohet dhe të rilexohet, në mënyrë që lexuesi të depërtojë më thellë në mendimet dhe mesazhet që autori përcjell. Ajo vuri në dukje se një veçanti e veprës është mënyra se si e trajton arkitekturën jo vetëm si profesion teknik, por edhe si mënyrë të menduari dhe reflektimi mbi hapësirën, njeriun dhe shoqërinë. Diskutimi u pasurua edhe me vlerësimin e recensentit, Dr. Sc. Ilir Rodiqi, i cili e cilësoi veprën si “një kontemplacion mbi rrjedhat që zhvillohen në projektet arkitektonike”.
Arkitektura si mendim: libri “Struktura e mendimit” hap debat profesional
Rodiqi theksoi se libri nuk pozicionohet thjesht si tekst teorik apo shkencor në kuptimin klasik. Përkundrazi, ai përmbledh mendime dhe reflektime që burojnë nga përvoja e drejtpërdrejtë e autorit në projekte ndërtimore dhe në praktikat profesionale. Në fokus të një pjese të rëndësishme të diskutimit ishte edhe etika profesionale. Sipas Rodiqit, profesionisti duhet të mbështetet në dije, parime dhe përgjegjësi, ndërsa suksesi i një projekti nuk varet vetëm nga teknologjia dhe dokumentacioni.
Në Prishtinë, për diskutimin u përfshinë edhe arkitekti Uran Kyçyku dhe inxhinieri Alush Shala, duke e zgjeruar bisedën nga aspektet e brendshme të librit drejt praktikave konkrete që lidhen me arkitekturën dhe ndërtimin. Në këtë mënyrë, aktiviteti u lexua si një hapësirë për të kuptuar më mirë se çfarë do të thotë “strukturë e mendimit” në punën e përditshme profesionale.
Ndalesa e dytë, 11 gusht në Suharekë, u zhvillua në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit “Hajdin Berisha”, DRKS-në dhe Mërgatën e Komunës së Suharekës. Këtij aktiviteti iu shtua edhe një dimension i veçantë: kujtesa dhe nderimi për figurën e inxhinierit dhe profesorit të ndjerë suharekas, Hajdin Berisha. Berisha u kujtua si intelektual dhe profesionist që besonte te dija, puna dhe e ardhmja. Rrëfimi për jetën e tij u mbyll në kohën kur rrugëtimi u ndërpre gjatë luftës, më 26 mars 1999, ndërsa kujtimi dhe kontributi i tij vazhdojnë të jenë pjesë e kujtesës së Suharekës.
Promovimi i librit në një bibliotekë që mban emrin e Hajdin Berishës i dha një kuptim shtesë bisedës: në qendër ishin profesioni, dija, ndërtimi dhe përgjegjësia, por edhe lidhja emocionale që autori e përjeton kur “rikthehet” në një vend ku kanë nisur shumë prej hapave të parë të rrugëtimit të tij. Ndërsa më 12 gusht promovimi u zhvillua përfundimisht në Bibliotekën Ndërkomunale të Prizrenit, ku vepra u prezantua para lexuesve, profesionistëve të arkitekturës dhe ndërtimtarisë, përfaqësuesve të botës universitare, miqve dhe dashamirësve të librit.
Në Prizren diskutimi u përqendrua në arkitekturë, ndërtim, përvojë profesionale, si dhe në etikën dhe përgjegjësinë e profesionistit ndaj hapësirës dhe shoqërisë. Në të tria qytetet u përcoll i njëjti mesazh: arkitektura dhe ndërtimi nuk janë vetëm çështje teknike, por lidhen drejtpërdrejt me mendimin, etikën, përgjegjësinë dhe marrëdhënien e njeriut me hapësirën që krijon. Libri i Bardhyl Halitjahës synon ta çojë profesionin përtej kufijve të vizatimit teknik dhe procesit ndërtimor, duke ngritur pyetje mbi atë se çfarë hapësire po ndërtojmë, pse po e ndërtojmë dhe çfarë gjurme do të lërë ajo. Rrugëtimi nga Prishtina në Suharekë dhe më pas në Prizren solli një hapësirë të përbashkët për profesionistë, studentë dhe lexues, duke hapur debat mbi rolin e arkitekturës dhe përgjegjësinë që mbartin ata që projektojnë dhe ndërtojnë.
Botuar fillimisht në Telegrafi





