Një rrogë mesatare nuk mjafton për të përballuar shpenzimet e përditshme Në Tiranë, të paktën kur llogaritjet bëhen për një individ që jeton i vetëm. Treguesi i publikuar nga Tradingpedia tregon se raporti i shpenzimeve ndaj pagës në kryeqytet shkon në 112.2%, duke e vendosur Tiranën ndër vendet me barrën më të lartë financiare në Europë.
Sipas të dhënave të këtij raporti, një individ shqiptar që jeton në kryeqytet dhe merr një pagë të barabartë me pagën mesatare neto mujore zyrtare prej 760 euro, nëse jeton i vetëm duhet të shpenzojë rreth 853 euro brenda një muaji. Kjo do të thotë se të ardhurat e tij nuk mbulojnë shpenzimet bazë të nevojshme për të mbajtur një jetë normale, duke e detyruar të heqë dorë nga disa shpenzime jo të domosdoshme ose, ndryshe, të mbështetet te kursimet ose të marrë hua.
Treguesi 112.2% rezulton i dyti më i lartë në Europë. Para Tiranës renditet vetëm Lisboa (Lisbona), ku raporti i shpenzimeve ndaj pagës për një person të vetëm është 121.4%. Në këtë analizë, Tradingpedia krahason të dhëna për 37 kryeqytete evropiane, duke vlerësuar shpenzimet e përditshme dhe pagat mesatare neto mujore. Llogaritja bëhet me “pagë reale”, pra pas zbritjes së të gjitha taksave dhe detyrimeve nga paga bruto.
Shpenzimet në Tiranë kapin 112% të pagës, duke e bërë të vështirë mbylljen e muajit
Për të kuptuar pse ndodh kjo, raporti përqendrohet te shpenzimet kryesore që rëndojnë mbi buxhetin e një individi. Në Tiranë, pjesa më e madhe e të ardhurave shkon për qiranë. Në mënyrë specifike, qiratë përbëjnë 93% të të ardhurave të individit. Si pasojë, pjesa tjetër e pagës që mbetet për nevoja të tjera është shumë e vogël—rreth 50 euro—çka e bën praktike të pamundur që muajt të mbyllen pa ndryshime në stilin e jetesës.
Tradingpedia shpjegon se nëse merret parasysh koeficienti ndërkombëtar i përdorur për vlerësimin e përballueshmërisë së strehimit, qiraja konsiderohet e përballueshme kur nuk kalon 30% të të ardhurave mujore bruto të familjes ose individit. Në momentin kur qiraja kapërcen këtë kufi, ajo quhet e papërballueshme dhe tregon stres financiar për strehimin. Kur kostot e banimit shkojnë mbi 50%, situata përkufizohet si “housing cost burden” ekstrem, duke rritur rrezikun e pasigurisë në strehim.
Në rastin e Tiranës, llogaritjet sipas formulës së koeficientit ndërkombëtar tregojnë se një individ duhet të shpenzojë rreth 77% të të ardhurave të tij bruto, ose rreth 720 euro, vetëm për të mbuluar shpenzimet e qirasë. Ndërkohë, në raport lidhet edhe fakti se qiraja mesatare e apartamenteve në Tiranë për vitin 2026 ka arritur 721 euro në muaj, bazuar në të dhëna të agjencive imobiliare.
Edhe kur shifrat lidhen me pagën neto, prirja mbetet e njëjtë: duke marrë pagën mesatare neto prej rreth 72 mijë lekësh (rreth 740 euro), shpenzimet vetëm për qiranë arrijnë rreth 97% të të ardhurave mujore neto. Kjo e vendos strehimin praktikisht jashtë kufijve realë të përballueshmërisë për një individ mesatar. Në të dyja mënyrat e llogaritjes, treguesit qëndrojnë dukshëm mbi pragun 30% që konsiderohet kufiri i përballueshmërisë së kostove të banimit.
Raporti vijon edhe me krahasime në rajon, ku kostoja e jetesës për individ del të jetë e ndryshme në varësi të pagave. Në Serbi, shpenzimet mujore për një person të vetëm llogariten në 994 euro, por paga neto është 1084 euro, ndaj treguesi rezulton 91.7%. Në Maqedoninë e Veriut, me pagë neto mujore rreth 769 euro, një individi i duhen 702 euro për një jetë normale, ose 91.3% e të ardhurave. Në Podgoricë, janë të mjaftueshme 759 euro, ndërsa paga mesatare neto mujore është 1013 euro.
Në nivel rajonal, kosto më e ulët e jetesës shfaqet në Bosnjë Hercegovinë: shpenzimet për individ llogariten në 584 euro, për një pagë prej 883 eurosh, ose 66.2%. Ndërkohë, në Tiranë situata paraqitet më e shtrenjtë si raport shpenzimesh ndaj të ardhurave edhe kur krahasohet me disa qytete europiane të njohura. Për shembull, në Londër duhen 86% e të ardhurave për të mbuluar shpenzimet, ndërsa në Romë treguesi shkon në 93.5%. Nga ana tjetër, qyteti më i lirë në këtë analizë rezulton Brukseli, ku gjysma e të ardhurave mjafton për të jetuar normalisht për një individ.
Tradingpedia ka llogaritur gjithashtu kostot e jetesës për një familje mesatare me 4 persona, me dy të rritur që punojnë me paga mesatare. Në këtë rast, të ardhurat e familjes janë 1520 euro në muaj, ndërsa shpenzimet për një familje me katër persona llogariten në 1353 euro. Kjo nënkupton se familjes i duhen të paktën rreth 90% e të ardhurave për të mbuluar kostot e jetesës. Analiza e fundit tregon se barra financiare mbetet e lartë, si për individët ashtu edhe për familjet, por në Tiranë raportet dalin veçanërisht problematike për shkak të peshës së qirasë në buxhet.
Botuar fillimisht në Bota Sot







