Cyrih, 13 qershor 2026 – Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, vlerësoi sukseset e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë, në interes të diasporës dhe brezave të rinj. Aktivitetet e ministres në Zvicër kanë nisur pas një serie takimesh të rëndësishme me autoritete zvicerane, përfaqësues të institucioneve dhe anëtarë të suksesshëm të diasporës shqiptare.
Gjatë qëndrimit në Cyrih, Kusari-Lila u takua edhe me Presidentin e Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, me seli në Cyrih, Ph.D. Dashnim Hebibi. Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, duke shërbyer si platformë për shkëmbimin e ideve dhe diskutimin e çështjeve që lidhen me diasporën shqiptare në Zvicër.
Diskutime për ruajtjen e identitetit dhe lidhjet me trojet
Në këtë takim, Ph.D. Dashnim Hebibi, i cili është gazetar me më shumë se tri dekada përvojë në media dhe një veprimtar i njohur në diasporë, e njohu ministren me veprimtarinë e Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore. Ai foli për projektet akademike dhe kulturore të institutit, si dhe për angazhimet që synojnë forcimin e lidhjeve ndërmjet diasporës dhe trojeve shqiptare.
Me këtë rast, Hebibi i dhuroi ministres disa nga librat e tij të botuar ndër vite. Gjatë bisedës, ai e falënderoi Mimoza Kusari-Lila për gatishmërinë e vazhdueshme që ka shfaqur ndër vite për të bashkëpunuar me mediat shqiptare në diasporë, si dhe për dhënien e intervistave e prononcimeve sa herë që temat kanë qenë të lidhura me mërgatën shqiptare. Në të njëjtën linjë, ai vlerësoi edhe kontributin e ministres në promovimin e rolit të diasporës në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.
Nga ana e saj, ministrja Kusari-Lila u shpreh e nderuar për mundësinë që gjatë qëndrimit të saj në Zvicër të takohet me shumë bashkatdhetarë të suksesshëm. Ajo theksoi se këta njerëz, përmes punës dhe përkushtimit të tyre, kanë ndërtuar histori suksesi në shtetin helvetik. Ministrja tha gjithashtu se do të kthehet në Kosovë me ndjenja krenarie dhe optimizmi, duke parë nga afër arritjet e jashtëzakonshme të mërgatës së vendit në Zvicër.
Në takim u vlerësua edhe puna e shefit të misionit konsullor të Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, për angazhimin e tij të vazhdueshëm në forcimin e bashkëpunimit me diasporën shqiptare. Ph.D. Dashnim Hebibi theksoi se aktivitetet dhe përkushtimi i Konsullatës së Përgjithshme kanë pasur ndikim pozitiv në afrimin e institucioneve të Kosovës me bashkatdhetarët në Zvicër. Bashkëbiseduesit u dakordësuan për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit edhe në të ardhmen, veçanërisht për projekte që lidhen me ruajtjen e identitetit kombëtar, edukimin dhe integrimin e gjeneratave të reja të shqiptarëve që jetojnë në diasporë.
Takimi u zhvillua në ambientet e restorantit të njohur “Ristorante Da Paolo” në Schlieren të Cyrihut, në pronësi të afaristit të suksesshëm shqiptar Pal Deda. Ai njihet për kontributin e tij në biznes, veprimtarinë atdhetare dhe mbështetjen e vazhdueshme për iniciativa me karakter kombëtar dhe humanitar. Përmbyllja e takimit u pa si dëshmi e rolit të rëndësishëm që diaspora shqiptare luan në forcimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, si dhe për nevojën e angazhimit të përbashkët në funksion të zhvillimit, edukimit dhe perspektivës së brezave të ardhshëm.
Botuar fillimisht në Bota Sot



