Shumë gra e përdorin grimin çdo ditë me qëllimin për ta bërë fytyrën të duket më e freskët dhe më e rregulluar. Megjithatë, kur produktet zgjidhen gabim ose teknikat nuk përputhen me lëkurën, efekti mund të kthehet në të kundërt: grimi nuk fsheh lodhjen, por e thekson atë, nxjerr në pah rrudhat dhe i bën tiparet të duken më të ashpra. Pikërisht për këtë, vitet e fundit po flitet më shumë për grim “anti-age”, që nuk nënkupton përdorim të tepërt produktesh, por theksim të zgjuar të bukurisë natyrale dhe të freskisë së lëkurës.
Një nga gabimet më të zakonshme lidhet me zgjedhjen e bazës. Pudrat shumë të rënda, plotësisht mat, që premtojnë “mbulim të përsosur”, në shikim të parë mund të duken pa të meta. Por me kalimin e kohës ato priren të hyjnë në vijat e imëta dhe rrudha, duke e theksuar edhe më shumë teksturën e lëkurës. Në vend të tyre, ekspertët rekomandojnë alternativa më të lehta, si baza me krem me ngjyrë, si dhe formula BB ose CC, të cilat e njëtrajtësojnë tenin dhe lënë një shkëlqim natyral, pa e bërë fytyrën të duket e “ngrirë” apo e mbuluar rëndë.
Një tjetër problem shfaqet shpesh te grimi i syve, sidomos te eyeliner-i. Për shumë gra, një teknikë e caktuar e mbetur ndër vite vazhdon të përdoret pa u menduar, edhe kur fytyra ndryshon. Një vijë e trashë dhe e errët, e vendosur përgjatë kapakut të poshtëm, mund t’i bëjë sytë të duken më të vegjël dhe t’i japë shikimit një pamje më të lodhur. Zgjedhje më të përshtatshme janë nuancat më të buta, si kafe, gri ose tone taupe, të cilat i japin syrit theks pa e “mbyllur” pjesën poshtë.
Përveç eyeliner-it, edhe lapsi i brendshëm i syrit luan rol të rëndësishëm. Vendosja në vijën e brendshme me laps të çelët mund ta bëjë shikimin të duket më i hapur dhe më i çlodhur. Kjo qasje e lehtë ndihmon që sytë të mos duken të rënduar, duke ruajtur një pamje më natyrale, që lidhet drejtpërdrejt me efektin e freskisë që kërkohet në grim “anti-age”.
Po ashtu, gabime të shpeshta shihen edhe te vetullat. Vetullat tepër të ashpra ose të vizatuara shumë fort mund ta bëjnë fytyrën të duket më serioze, madje edhe më e vjetër. Sipas këshillave të grimierëve, rekomandohet përdorimi i një nuancë një ton më e çelët se ngjyra natyrale e vetullave, dhe ndjekja e formës së tyre origjinale. Qëllimi nuk është të krijohen vetulla të rënda, por të mbushen lehtë boshllëqet dhe të ruhet një pamje sa më natyrale.
Grimi më natyral: më pak produkt, më shumë freski
Një gabim tjetër që mund të shtojë vizualisht vite është zgjedhja e buzëkuqëve shumë të errët. Nuancat bordo, kafe të errët dhe vjollcë mund të duken elegante, por shpesh krijojnë efekt që i bën buzët më të ngushta dhe i thekson vijat e imëta rreth tyre. Për një pamje më të freskët rekomandohen formula kremoze në tone natyrale, si rozë ose pjeshke. Gjithashtu, një sasi e vogël shkëlqimi në mes të buzëve mund të japë përshtypjen e buzëve më të plota dhe të kontribuojë në një efekt më rinor.
Edhe vendosja e skuqësit ka rëndësi më të madhe se sa mendohet shpesh. Nëse skuqësi vendoset shumë poshtë, fytyra mund të duket e rënë dhe e lodhur. Prandaj, grimierët këshillojnë që ai të vendoset lehtë në pjesën më të lartë të mollëzave, duke ndjekur vijën natyrale të ngritjes së fytyrës. Në të njëjtën kohë, bronzeri duhet përdorur me kursim dhe kujdes, që të mos krijojë efekt të rëndë.
Por ka një rregull që shpesh anashkalohet: hapi më i rëndësishëm vjen para grimit. Pavarësisht cilësisë së produkteve, një bazë e thatë ose e dehidratuar e lëkurës e bën grimën të mos duket mirë. Grimierët theksojnë se përgatitja e lëkurës është gjysma e suksesit: para se të vendoset grimi rekomandohet serum hidratues dhe krem cilësor; më pas, sipas nevojës, primer i përshtatur me tipin e lëkurës. Kur lëkura është e kujdesur mirë, kërkohet shumë më pak produkt që fytyra të duket e shëndetshme, e çlodhur dhe me shkëlqim natyral.
Në fund, ekziston një mesazh që përsëritet gjithnjë nga ekspertët e bukurisë: “më pak është më shumë”. Qëllimi i grimit nuk është të fshehë tërësisht fytyrën, por të theksojë tiparet më të bukura të saj. Kur përdoret me kujdes dhe në sasi të përshtatshme, grimi mund ta freskojë pamjen, t’i rikthejë fytyrës gjallërinë dhe t’ju bëjë të dukeni më të çlodhura e më të reja, pa efektin e maskës.
Botuar fillimisht në Telegrafi







