Ka qen që duken sikur po buzëqeshin pa pushim—sidomos kur i sheh në foto apo kur i shikon teksa pushojnë. Në realitet, këto “buzëqeshje” nuk janë rastësi. Disa raca kanë tipare të veçanta të fytyrës dhe të gojës që krijojnë përshtypjen se janë gjithmonë në humor të mirë, edhe atëherë kur qeni thjesht është duke relaksuar.
Në përgjithësi, kur qentë janë të gëzuar, ata mund të tundin bishtin, të afrohen për përkëdhelje, të kërcejnë ose të shfaqin një qëndrim të çlirët e lozonjar. Por te disa raca, ajo që të tërheq vëmendjen që në shikim të parë është forma e fytyrës. Këndet e ngritura të buzëve, sytë shprehës dhe pamja miqësore e bëjnë që ata të duken të lumtur edhe në momentet më të qeta.
Pesë racat me “buzëqeshje” natyrale që duken gjithmonë të gëzuara
1) Samojedi. Kjo racë e ka nofkën “qeni që buzëqesh” falë shprehjes së veçantë të fytyrës. Këndet e gojës së Samojedit janë natyrshëm të ngritura, ndërsa sytë e errët dhe gëzofi i bardhë e plotësojnë pamjen. Kjo shprehje njihet si “Sammy smile”, dhe konsiderohet një nga karakteristikat më të dallueshme të racës. Përveç pamjes, Samojedët njihen si qen shoqërues, energjikë dhe të lidhur ngushtë me familjen.
2) Shiba Inu. Shiba Inu është një racë japoneze që dallohet për pamjen e mprehtë dhe shprehjen paksa dinake të fytyrës. Forma karakteristike e syve, fytyra që ngjan me atë të dhelprës dhe këndet e ngritura të gojës krijojnë përshtypjen e një buzëqeshjeje misterioze. Kjo shprehje i jep një hijeshi të veçantë racës, ndërsa karakteri i tij i pavarur dhe vigjilent e bën Shiba Inun një qen me personalitet të fortë.
3) Welsh Corgi Pembroke. Kur flet për Corgin Pembroke, është e vështirë të imagjinohet pa shprehjen e tij karakteristike. Fytyra e gjerë, veshët e mëdhenj e të ngritur dhe sytë plot gjallëri krijojnë idenë sikur ky qen është gjithmonë në humor të mirë. Edhe pse ka këmbë të shkurtra, Corgi është qen aktiv, inteligjent dhe plot energji. Pamja lozonjare e kombinuar me natyrën kureshtare e ka bërë një nga racat më të dashura për adhuruesit e qenve.
4) Golden Retriever. Ky është një nga racat më të njohura kur flitet për natyrë miqësore. Sytë e butë dhe shprehës, së bashku me formën e gojës, krijojnë përshtypjen e një buzëqeshjeje të qetë dhe të sinqertë. Golden Retrievers njihen për dëshirën për të bashkëpunuar, temperamentin e dashur dhe lidhjen e fortë me njerëzit. Prandaj, shprehja e tyre duket sikur përputhet natyrshëm me karakterin e tyre shoqërues.
5) Pomeraniani. Edhe pse është i vogël në përmasa, Pomeraniani ka një personalitet plot gjallëri. Fytra që ngjan me atë të dhelprës, sytë e shndritshëm dhe goja e vogël krijojnë përshtypjen se ky qen po buzëqesh vazhdimisht. Gëzofi i dendur ia thekson më tej këtë pamje të ëmbël, ndërsa natyra energjike dhe lozonjare e bën një shoqërues shumë argëtues. Pavarësisht madhësisë, Pomeraniani është shpesh vigjilent, kureshtar dhe i gatshëm të tërheqë vëmendjen e të gjithëve.
A do të thotë domosdoshmërisht se qeni është i lumtur vetëm pse “buzëqesh” në fytyrë? Jo gjithmonë. Edhe pse këto pesë raca duken sikur buzëqeshin, shprehja e fytyrës nuk është një tregues i sigurt i emocioneve të tyre. Qentë mund ta mbajnë gojën hapur edhe kur kanë vapë, kur janë të lodhur ose kur po përpiqen të qetësohen. Për të kuptuar nëse një qen është vërtet i relaksuar dhe i lumtur, duhet vëzhguar i gjithë qëndrimi i trupit: lëvizja e bishtit, pozicioni i veshëve dhe sjellja e përgjithshme. Buzëqeshja që ne shohim mund të jetë thjesht një veçori anatomike, por kjo nuk i bën këta qen më pak të adhurueshëm—përkundrazi, i bën edhe më të veçantë për ata që i shohin dhe i njohin nga afër.
Botuar fillimisht në Telegrafi







